Të pakten 360 njerëz kanë vdekur në dy vende pasi një nga tërmetet më të fuqishëm që goditi Turqinë në më shumë se 100 vjet, shkaktoi lëkundje në të gjithë rajonin, duke shembur ndërtesa dhe duke i bërë banorët të vrapojnë në rrugë.
Tërmeti me magnitudë 7.8 goditi pak pas orës 4 të mëngjesit të së Hënës sipas kohës lokale, 23 kilometra në lindje të Nurdagi, provincën Gaziantep, në një thellësi prej 24.1 kilometrash, tha Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS). Nurdagi ndodhet përgjatë kufirit Turqi-Siri dhe tërmeti u ndje në disa vende të rajonit, duke përfshirë Sirinë dhe Libanin.
Dhjetra njerëz janë të bllokuar nën rrënoja, sipas grupit “Helmetat e Bardha”, i njohur zyrtarisht si Mbrojtja Civile e Sirisë, një organizatë humanitare e krijuar për të shpëtuar njerëzit e plagosur në konflikt.
Tërmeti goditi para agimit të së Hënës, kur banorët me siguri ishin në gjumë dhe të papërgatitur për ndikimin.
Tërmeti i së hënës besohet të jetë më i forti që ka goditur Turqinë që nga viti 1939, kur një tërmet i së njëjtës magnitudë la të vdekur rreth 30,000 njerëz, sipas USGS. Tërmetet e kësaj magnitude janë të rrallë, me më pak se pesë që ndodhin mesatarisht çdo vit, kudo në botë. Shtatë tërmete me magnitudë 7.0 ose më shumë kanë goditur Turqinë në 25 vitet e fundit – por ai i së Hënës është më i fuqishmi.
“Ndihej sikur nuk do të mbaronte kurrë”
Gazetari Eyad Kourdi, i cili jeton në Gaziantep dhe po qëndronte me prindërit e tij kur tërmeti goditi herët të hënën, tha se “ndihej sikur nuk do të përfundonte kurrë”.
Pasgoditje të forta janë ndjerë në Turqinë jugore dhe qendrore. Rreth 11 minuta pas goditjes së tërmetit kryesor, pasgoditja më e fortë prej 6.7 ballë goditi rreth 32 kilometra (20 milje) në veriperëndim të epiqendrës së tërmetit kryesor. Një tjetër tronditje e fortë me magnitudë 5.6 ka ndodhur 19 minuta pas tërmetit kryesor. /MeteoKosova/