
Java e fundit e tetorit do të mbetet nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike dhe të masave të ftohta ajrore.
Nën këto kushte, gjatë gjithë javës moti parashikohet të karakterizohet nga vranësira të shpeshta dhe me intervale të shkurtra me diell. Herë pas here priten reshje të pakta lokale shiu, ndërsa në zonat malore do të ketë reshje bore.
Megjithatë, për shkak të motit të kthjellët gjatë natës mes së hënës dhe së martës, të martën në mëngjes temperaturat pritet të zbresin lokalisht edhe në vlera negative.
Era do të fryjë nga veriu dhe verilindja, herë pas here me intensitet të fortë, me shpejtësi prej 15-46 km/h.
Sa i përket temperaturave, ato do të mbeten nën vlerat mesatare për këtë periudhë të vitit. Temperaturat minimale do të lëvizin nga -1 deri në 9°C, ndërsa ato maksimale nga 9 deri në 15°C.
Vlerat më të ulëta të temperaturave maksimale pritet të regjistrohen në fillim të javës, ndërsa nga e mërkura ato pritet të shënojnë një rritje të lehtë. /MeteoKosova/



