Pas motit mjaft të ftohtë që u karakterizua me reshje shiu dhe bore të Mërkurën, nga dita e Enjte pritet një ngritje e lehtë e temperaturave gjatë ditës, ndërsa në mëngjes vendi rrezikohet nga ngricat lokale, sidomos zona veriore, duke regjistruar temperatura deri në -3°C. Gjatë ditës moti do të dominohet nga vranësirat e shpeshta dhe reshjet e shiut.
Të Premten pritet të depërtojnë masa më të ngrohta ajrore, e bashkë me to edhe një tjetër ciklon me origjinë nga Spanja. Nën këto kushte, moti do të karakterizohet me vranësira dhe intervale me diell, ku kohë pas kohe priten rrebeshe lokale shiu, të shoqëruara me shkarkesa elektrike dhe breshër. Po ashtu, pritet fuqizim i ndjeshëm në parametrin e erës nga kuadrati i jugut, me shpejtësi prej 15-65 km/h!
Edhe dita e Shtunë parashikohet pak a shumë me kushte të ngjashme, me diell dhe vranësira, e lokalisht me reshje shiu.
Të Dielën pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe me temperatura të larta.
Temperaturat minimale nga dita e Enjte e në fundjavë do të lëvizin prej -3 deri në 9°C, ndërsa ato maksimale prej 12 deri në 24°C. /MeteoKosova/