BallinaKosovë

Ndryshim drastik i motit, prej -7 deri në +17°C! Ja çfarë pritet të ndodh këtë javë

Fundjavën që e lamë pas, vendi u ndikua nga masa shumë të lagështa, të cilat sollën edhe reshje shiu e bore. Nga reshjet intensive të shiut gjatë së Shtunës, përsëri e pësoi qyteti i Pejës, ku pati edhe vërshime. Të Dielën kishim depërtimin e pjesshëm të masave të ftohta, të cilat sollën edhe reshje bore, sidomos në zonën verilindore.

Këto masa të ftohta me origjinë polare do të vazhdojnë të jenë të pranishme edhe në fillim të kësaj jave, të cilat gjatë ditës së sotme do të sjellin reshje shiu e bore, lokalisht të dendura.

Deri në orët e mbrëmjes parashihet që në pjesën dërrmuese të vendit, reshjet e shiut të shndërrohen në ato të borës, ku do të krijohen edhe shtresa, më të shumta në zonën veriore dhe verilindore. Temperaturat hyjnë në vlera negative në pjesën më të madhe të vendit.

Të Martën, reshjet do të pushojnë, me ç’rast priten intervale kthjellimesh dhe vranësirash, por moti do të jetë nën ndikimin e masave të ftohta polare. Zona veriore do ta ndjejë më së shumti.

Nga dita e Mërkurë do të depërtojë një ciklon nga Italia, i shoqëruar me masa më të ngrohta ajrore me origjinë nga Afrika veriore. Në këtë mënyrë cikloni do të sjellë shtim të vranësirave dhe një valë të re me të reshura, lokalisht të dendura. Po ashtu, do të ketë ngritje të lehtë dhe graduale të temperaturave. Të reshurat lokalisht dhe përkohësisht në orët e mëngjesit do të jenë në formë të borës, shqotës dhe shiut që ngrihet, duke u shndërruar më pas në ato të shiut në të gjithë vendin.

Të Enjten moti do të vijojë me vranësira dhe intervale me diell, përderisa temperaturat do të vazhdojnë të ngriten në mënyrë graduale.

Të Premten, do të ketë fuqizim të masave të ngrohta ajrore, përderisa zonat me presion më të ulët atmosferik do të sjellin reshje lokale shiu, në zona të caktuara do të jenë në formë të rrebesheve, të shoqëruara me ndonjë shkarkesë elektrike.

Edhe për ditën e Shtunë parashihen reshje shiu, lokalisht në formë të rrebesheve të shoqëruara me ndonjë shkarkesë elektrike, megjithatë gjatë pasdites pritet të depërtojnë masa të ftohta ajrore, ku ka mundësi të sjellin reshje bore, sërish në zonën veriore.

Dita e Dielë do të mbetet nën ndikimin e masave të ftohta ajrore, ku mund të ketë reshje lokale shiu e bore.

Era do të fryjë nga drejtimi verior të Hënën dhe të Martën, më pas do të zhvendoset nga drejtimi juglindor deri të Premten, e cila kohë pas kohe pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi 20-55 km/h! Fundjava sërish do të dominohet nga erërat me drejtim verior.

Temperaturat minimale do të luhaten prej -7 deri në -1°C, ndërsa ato maksimale prej 1 deri në 17°C.

Related Articles

Back to top button
sqAlbanian
Close

Adblock Detected

Ju lutemi te fikni Ad Blocker!