Pas një dite sot mjaft të ngrohtë dhe me diell, ku temperaturat kanë arritur edhe deri në 20°C në pjesë të vendit, një ciklon i cili gjendet mbi Mesdhe, sonte do të arrijë mbi rajonin tonë, duke sjellur një sistem me të reshura, përfshirë edhe vendin tonë.
Pra, të Enjten do të mbajë mot me vranësira dhe intervale të shkurta me diell, ku pritet intensifikim i reshjeve, të cilat lokalisht do të jenë në formë të rrebesheve, të shoqëruara me shkarkesa rrufesh dhe breshër, e veçanërisht në Shqipëri. Në zona të caktuara të Shqipërisë mund të ketë edhe vërshime.
Nga ky sistem me të reshura, do të përfshihen edhe vendet tjera të rajonit, si: Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Greqia, Bullgaria, etj., duke vazhduar drejt lindjes së kontinentit.
Temperaturat do të pësojnë ulje të përkohshme, ku maksimalet në Shqipëri do të lëvizin prej 11 deri në 17°C, ndërsa në Kosovë prej 14 deri në 17°C.
Të Premten dhe të Shtunën, do të mbajë mot me diell dhe vranësira, ku të Premten vranësirat më të shtuara do të jenë në Shqipëri, me mundësi që të sjellin edhe ndonjë reshje të izoluar shiu. Temperaturat në pjesën dërrmuese të vendit do të tejkalojnë vlerën 20°C, e sidomos të Shtunën.
Të Dielën, pritet të depërtojnë masa të ftohta polare, duke sjellur të reshura që nga orët e para të 24-orëshit, lokalisht në formë të rrebesheve, të cilat më pas në zona të caktuara të ultësirave, pritet sërish të përzihen apo shndërrohen në ato të borës. /MeteoKosova/