BallinaRajon

Tërbohet moti/ Stuhi e fuqishme ere dhe reshje shiu në të gjithë Shqipërinë! Boshatisen plazhet, në Elbasan bien gurë nga mali

Një stuhi e fuqishme pushtoi plazhin e Ksamilit mesditën e së Premtes.

Në pamjet e xhiruara nga pushues, duken çadrat dhe shazlonet që fluturojnë nga era dhe përfundojnë në det, ndërsa punonjësit e subjekteve private vrapojnë të kapin çadrat. Kjo situatë ka bërë që pushues të shumtë të lënë plazhin dhe të largohen.

Gjatë orëve të mëngjesit në edhe qytetin e Vlorës nisën reshje të dendura shiu dhe u ulën temperaturat.

Ndryshimi i motit ka bërë që të largohen pushuesit nga bregdeti. Ndërsa pronarët e plazheve kanë mbledhur shezlonet nga bregu. Reshjet e shiut kanë shkaktuar trafik në Vlorë.

Një pamje të pazakontë për muajin korrik kishte dhe bregdeti i Durrësit këtë të premte. Plazhet e Adriatikut dhe shëtitorja bregdetare “Taulantia” në Durrës u braktisën nga pushuesit.

Përkeqësimi i kushteve atmosferike i ka larguar pushuesit nga vija bregdetare, ndërsa gjiri i Durrësit është përfshirë nga moti i paqëndrueshëm, i karakterizuar nga vranësira, erë dhe reshje shiu herë pas here. Largimi nga plazhet ka shkaktuar qarkullim të shtuar në akset rrugore të qytetit.

Reshjet e dendura të shiut në Elbasan kanë filluar të shkaktojnë problemet e para në aksin rrugor Elbasan-Librazhd. Rënia e gurëve nga shpati i malit ka vështirësuar qarkullimin tek vendi i quajtur “Kthesat e Murrashit”. Stuhia e fortë ka shkaktuar probleme në energjinë elektrike, duke u ndërprerë në disa zona të Elbasanit.

Edhe në Shëngjin shiu ka larguar pushuesit nga plazhi, ndërsa pronarët e subjekteve kanë mbyllur çadrat dhe shezlonet. Aktualisht nuk paraqiten probleme në zonën e Shëngjinit dhe Lezhës.

Ndërsa një pjesë e qytetit dhe disa fshatra të Librazhdit si dhe qyteti i Prrenjasit janë pa energjia elektrike prej disa orësh.

Shkak dyshohet të jenë bërë reshjet e dendura të shiut që kanë nisur prej mesditës. Autoritetet ende nuk kanë njoftuar se ku ka ndodhur defekti që ka shkëputur energjinë në këto zona. Ndërkohë dhe temperaturat janë ulur ndjeshëm në të gjithë vendin.

Të Shtunën pritet të mbajë mot me diell dhe vranësira ku priten edhe rrebeshe lokale shiu, kryesisht të përqëndruara në zonat e ulëta dhe ato malore, duke mos përjashtuar edhe zonat bregdetare në zonat e caktuara, sidomos në jug të vendit.

Të Shtunën do te ketë erë të fortë, dallgëzim të lartë në brigjet detare, me shpejtësi deri në 60 km/h!

Dita e Dielë përmirëson dukshëm motin, do të ketë më shumë diell,  vranësira të pakta, reshje të izoluara në veri të vendit.

Në aspektin termik, do të jetë një fundjavë relativisht e freskët, me temperatura deri në 31°C krahasuar me fundjavën e kaluar ku temperaturat shkuan deri në 41°C. /MeteoKosova/

Related Articles

Back to top button
Close

Adblock Detected

Ju lutemi te fikni Ad Blocker!