BallinaKosovë

Surprizat e motit gjatë kësaj jave, ja kur do të kemi diell dhe ngritje të temperaturave

Ndonëse me 20 Mars kemi hyrë në stinën e Pranverës, Prilli po e dëshmon të kundërtën, me ç’rast javën e kaluar kishim edhe reshjet e dendura të borës, të cilat nuk i kishim të pranishme thuajse fare gjatë stinës së Dimrit.

Gjatë kësaj jave moti do të vazhdojë të jetë i paqëndrueshëm dhe nën ndikimin e masave kryesisht të ftohta me origjinë polare, të pakten deri të Mërkurën, kur edhe pritet një përmirësim i përkohshëm në kushtet e motit.

Në këtë mënyrë, dita e Hënë dhe e Martë do të karakterizohet me vranësira të shpeshta dhe reshje lokale shiu, përderisa nuk do të mungojnë intervalet e shkurta me diell, sidomos të Martën.

Nga dita e Mërkurë pritet një përmirësim gradual dhe i përkohshëm në kushtet e motit, me ç’rast priten vranësira dhe intervale kohore me diell, megjithatë, nuk përjashtohet mundësia për ndonjë reshje të izoluar shiu. Temperaturat shënojnë ngritje.

Dita e Enjte do të karakterizohet kryesisht me diell dhe me temperatura të larta, të cilat janë rreth vlerave normale për këtë periudhë kohore.

Nga dita e Premte pritet të depërtojë një sistem frontal nga veriperëndimi i kontinentit, duke sjellur reshje shiu, lokalisht në formë të rrebesheve, të shoqëruar me ndonjë shkarkesë elektrike. Temperaturat pësojnë ulje.

Edhe fundjava parashikohet me vranësira të shpeshta dhe reshje lokale shiu, kohë pas kohe në formë të rrebesheve, shoqëruar me ndonjë shkarkesë elektrike.

Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila kohë pas kohe pritet të jetë mjaft e fuqishme, sidomos në pjesën e dytë të javës, me shpejtësi prej 15-75 km/h!

Temperaturat minimale do të luhaten prej 0 deri në 8°C, ndërsa ato maksimale prej 9 deri në 22°C. /MeteoKosova/

Related Articles

Back to top button
Close

Adblock Detected

Ju lutemi te fikni Ad Blocker!