Gjatë kësaj jave vendi ynë do të ndikohet nga një seri me ciklone të shumta me origjinë polare, të cilat do të përfshijnë jo vetëm territorin e vendit tonë por edhe pjesën më të madhe të Europës.
Dita e Hënë do të karakterizohet me vranësira dhe intervale të shkurta me diell, ku rreth mesditës pritet të fillojnë reshjet e shiut në sasi të pakta, kryesisht në perëndim të vendit, më pas gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes, pritet të intensifikohen dhe të shtrihen edhe në zona të tjera.
Reshjet më intensive do të jenë në jugperëndim të vendit të cilat kohë pas kohe do të jenë në formë të rrebesheve, ndërsa me më së paku të reshura apo thuajse fare, parashihet në juglindje dhe lindje të vendit.
Nga dita e Martë e deri të Enjten, moti do të karakterizohet me vranësira të shpeshta dhe intervale kohore me diell, ku reshjet e shiut do të mbesin të pranishme në shkallë vendi me karakter lokal, përderisa në pjesë të Rrafshit të Dukagjinit, konkretisht në zonën e Pejës, Istogut, Deçanit dhe Gjakovës, do të jenë të vazhdueshme apo intensive.
Si pasojë e sistemit të stuhisë me lëvizje të ngadalshme, në perëndim dhe jugperëndim të vendit pritet të shkaktohen vërshime të shpejta dhe rrëshqitje të dheut.
Në rajonet ku reshjet janë më pak të pranishme, do të ketë edhe intervale me diell, ku pritet edhe ngritje e ndjeshme e temperaturave, sidomos të Mërkurën. Kjo si pasojë e masave të ngrohta dhe erërave të fuqishme nga jugu.
Nga dita e Premte, pritet të depërtojnë masat e ftohta ajrore, ku përpos reshjeve lokale të shiut, gjatë pasdites dhe mbrëmjes pritet shndërrohen në reshje bore.
Edhe fundjava do të mbetet nën ndikimin e masave të ftohta ajrore, duke u karakterizuar me mot kryesisht të vranët dhe me reshje lokale bore.
Era deri të Enjten do të fryjë nga kuadrati i jugut, e cila kohë pas kohe në zona të caktuara pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 20-80 km/h, ndërsa nga dita e Premte do të zhvendohet nga kuadrati i veriut, ku edhe do të bie intensiteti i erës.
Temperaturat minimale do të luhaten prej -3 deri në 9°C, ndërsa ato maksimale prej 0 deri në 15°C. /MeteoKosova/