Prilli po vazhdon të karakterizohet me temperatura nën mesatarën për këtë periudhë kohore dhe me të reshura, por këto të fundit janë shumë të mirëseardhura, duke ndihmuar në mbushjen e rezervuarëve dhe nivelit të liqeneve.
Edhe për këtë javë vendi do të dominohet nga kushte kryesisht të paqëndrueshme atmosferike dhe nga masa më të ftohta ajrore, të cilat janë bllokuar në pjesën më të madhe të Evropës, përfshirë edhe vendin tonë.
Si rrjedhojë, moti do të karakterizohet me vranësira të shpeshta dhe intervale kohore me diell, të cilat kohë pas kohe do të përcillen me reshje shiu, lokalisht në formë të rrebesheve, të shoqëruara me shkarkesa rrufesh në zona të caktuara. Nuk përjashtohet mundësia e breshërit.
Reshjet më të intensifikuara parashihet të jenë deri të Mërkurën në intervale të ndryshme kohore, më pas do të mbesin të izoluara dhe të pranishme vetëm në zona të caktuara.
Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare nga drejtimesh të ndryshme, megjithatë në momente dhe zona të caktuara mund të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 15-45 km/h!
Temperaturat më të ulëta do të jenë në pjesën e parë të javës, më pas do të shënojnë ngritje graduale, me minimale që do të luhaten prej 4 deri në 8°C, ndërsa ato maksimale prej 10 deri në 20°C. /MeteoKosova/