Vendi ynë është përfshirë tashmë nga masat e nxehta ajrore me origjinë Afrikane, duke favorizuar mot kryesisht me diell dhe të nxehtë, ku temperaturat maksimale po luhaten prej 30 deri në 34°C në rang vendi.
Në orët vijuese, gradualisht do të depërtojnë masa më të freskëta ajrore nga veriu i kontinentit, duke sjellur në orët vijuese të ditës dhe mbrëmjes rrebeshe lokale shiu e shkarkesa rrufesh, duke mos përjashtuar mundësinë për breshër.
Zonat ku parashihet të ketë reshura do të jenë ajo perëndimore, veriperëndimore, veriore dhe verilindore. Po ashtu, reshje mund të ketë edhe në ndonjë zonë tjetër por më afatshkurtër.
Gjatë kohës në zonat ku ka të reshura dhe përreth tyre, pritet fuqizim në parametrin e erës nga kuadrati i veriut, e cila në momente të caktuara pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi deri në 60 km/h! Po ashtu, edhe temperaturat pësojnë ulje të ndjeshme, me të pakten 10 gradë Celsius.
Dita e Dielë parashihet me diell dhe vranësira, ku priten reshje të pakta lokale shiu, sidomos në relievet malore. Gjithashtu, masat e freskëta do të fuqizohen, të cilat do të mbesin të pranishme deri të Martën, duke bërë që temperaturat maksimale të sillen rreth 30°C në rang vendi, e në disa lokacione ato të jenë më të ulëta për 3-4°C.
Gjatë kësaj periudhe pas të Dielës, moti do të karakterizohet me diell dhe vranësira, ndërsa nga dita e Mërkurë, e veçanërisht të Enjten, pritet ngritje më e ndjeshme e temperaturave, ku ka mundësi deri në fundjavë t’i përjetojmë temperaturat më të larta deri më tani për këtë vit.
Për më shumë detaje, ndiqni parashikimet tona ditore si dhe çdo të Hënë me motin javor. /MeteoKosova/