Edhe në javën e parë të Majit vendi ynë do të vijojë të mbetet nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike.
Nën këto kushte, dita e Hënë u karakterizua me diell dhe vranësira, të cilat gjatë orëve të pasdites u përcollen edhe me rrebeshe të izoluara shiu, kryesisht në pjesën veriore, verilindore dhe lindore.
Nga dita e Martë do të depërtojnë gradualisht masa më të freskëta ajrore, të cilat do të sjellin shtim të vranësirave dhe reshje lokale shiu.
Reshjet do të intensfikohen të Mërkurën, të cilat lokalisht do të jenë në formë të rrebesheve të shoqëruara me shkarkesa rrufesh.
Edhe dita e Enjte do të dominohet nga vranësirat e shpeshta dhe reshjet lokale të shiut.
Nga dita e Premte dhe në fundjavë do të depërtojnë masa më të ngrohta ajrore, ku priten intervale më të gjata me diell, megjithatë reshjet e izoluara do të mbesin prezente, sidomos në fundjavë.
Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila kohë pas kohe pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 15-55 km/h!
Temperaturat minimale do të luhaten prej 6 deri në 11°C, ndërsa ato maksimale prej 13 deri në 23°C. /MeteoKosova/