Bëhuni gati: Superhëna e parë e vitit 2022 do të shfaqet të Martën
Vera nuk është stina e vetme që fillon këtë muaj. Qershori shënon gjithashtu fillimin e sezonit të superhënës për të apasionuarit e astronomisë.
Superhënat janë dukuri vjetore që ndodhin në grupe prej tre ose katër dhe u ofrojnë vëzhguesve të qiellit dhe fotografëve mundësi të mëdha për të vëzhguar shoqëruesin qiellor të Tokës.
Superhëna që do të lindë natën e së Martës, 14 Qershor, deri në mëngjesin e së Mërkurës, 15 Qershor, do të jetë e para e këtij viti. Superhëna e dytë do të ndriçoj të Mërkurën, më 13 Korrik.
Hëna lëviz rreth Tokës në një orbitë të zgjatur, në formën e një elipse, duke bërë një rrotullim në muaj. Prandaj, një herë në muaj i afrohet planetit tonë dhe kalon pikën perigje, dhe një herë në muaj largohet nga Toka, duke kaluar kështu pikën apogje.
Një Superhënë ndodh kur ka një hënë të plotë në të njëjtën kohë kur hëna është afër pikës perigje, duke bërë që ajo të duket 14% më e madhe dhe 30% më e ndritshme se hënat e tjera të plota gjatë gjithë vitit. Anasjelltas, një hënë e plotë që ndodh afër pikës apogje duket pak më e vogël dhe quhet Mikrohënë.
Edhe pse pamja e jashtme mund të mos jetë e dukshme me sy të lirë, ajo ende mund të ketë një ndikim në Tokë.
Tërheqja gravitacionale e një superhëne gjithashtu mund të shkaktojë që baticat të jenë më të larta se normalja, gjë që mund të përforcojë përmbytjet bregdetare. Kjo mund të përkeqësohet nëse ka një stuhi tropikale ose uragan që shpërthen pranë bregut në ditët që rrethojnë një superhënë. /MeteoKosova/