Në fillim të kësaj jave kishim depërtimin e masave të ftohta, të cilat sollën reshje shiu dhe ulje të theksueshme të temperaturave, me maksimale prej 11-12 gradë Celsius, përderisa ato minimale zbriten deri në 2 gradë Celsius në Gjilan.
Në ditët vijuese do të kemi depërtimin e masave të ngrohta ajrore me origjinë nga Afrika veriore, duke bërë që temperaturat maksimale të premten dhe të shtunën të arrijnë deri në 28 gradë Celsius në shkallë vendi.
Nën këto kushte, moti do të karakterizohet me diell dhe vranësira, mirëpo në mbrëmjen e së shtunës pritet të kemi kalimin e një sistemi frontal, duke sjellur rrebeshe lokale shiu e shkarkesa elektrike. Reshjet do të vazhdojnë kohë pas kohe edhe gjatë orëve të para të 24-orëshit të ditës së diel.
Sa i përket ditës së diel, moti parashihet me diell e vranësira dhe me mundësi për ndonjë reshje të izoluar shiu. Temperaturat do të pësojnë ulje të lehtë në vlerat maksimale, deri në 24°C.
Një gjë që vlen të cekët është edhe shpejtësia e erës, e cila do të fillojë të fuqizohet nga kuadrati i jugut të premten, ndërsa të shtunën do të merr shtrirje më të gjerë, ku kohë pas kohe pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi deri në 70-80 km/h, me ç’rast mund të ketë edhe dëme materiale. /MeteoKosova/