BallinaRajon

Stuhia Bora: Dy të vdekur në Greqi nga përmbytjet dhe erërat e forta, për 48 orë mbi 300 mm shi

Dy persona kanë humbur jetën ndërsa reshjet e dendura dhe erërat e forta kanë shkaktuar përmbytje dhe dëme në Greqi. Më shumë se 300 mm shi janë raportuar në ishullin Rodos – një nga zonat e para të prekura nga Stuhia Bora – që nga e shtuna.

Vdekjet kanë ndodhur në ishullin Limnos, ku përmbytjet kanë dëmtuar rrugë dhe ndërtesa dhe banorët janë urdhëruar të evakuojnë shtëpitë, nga frika se mund të mbingarkohet një digë. Dëme janë raportuar edhe në qytetin e dytë më të madh të Greqisë, Selanik, me reshje dhe stuhi që pritet të ndikojnë pjesën më të madhe të vendit në orët në vijim, sipas Shërbimit Kombëtar Meteorologjik të Greqisë.

Në Limnos, rrjeti rrugor rural që lidh fshatrat Kondias me Thanos dhe Agios Dimitris është shkatërruar plotësisht. Një burrë 70-vjeçar në Kondias vdiq kur u rrëzua duke u përpjekur të pastrojë shtëpinë e tij. Një fermer 57-vjeçar u gjet i vdekur nga zjarrfikësit pasi u raportua i zhdukur nga familja pranë një dige të përmbytur afër fshatit – raporton BBC.

Sipas burimeve policore, ai u mbyt pasi u përfshi nga ujërat e rrëmbyer ndërsa përpiqej të lironte makinën e tij, që kishte ngecur në baltë në një përroskë. Banorëve në Kondias iu kërkua të evakuojnë shtëpitë, nga frika se diga mund të mbingarkohej.

Situata në Rodos u përshkrua si “dramatike” nga banorët. Një ndalim 24-orësh për lëvizjen e automjeteve në rrjetin rrugor është vendosur në ishull. Gjatë natës, disa njerëz mbetën të bllokuar nga ujërat e rrëmbyer, pasi shumë rrugë u përmbytën.

Guvernatori rajonal i Egjeut Jugor, Jorgos Haxhimarkos, tha se Rodos ka pësuar “dëme të mëdha”. Shumë rrugë në ishull janë të pakalueshme, ndërsa ura janë shembur në zonën Kallithea-Faliraki.

Kryetari i Bashkisë së Rodosit, Aleksandros Koliadis, ka paraqitur një kërkesë qeverisë greke për të shpallur ishullin në gjendje të jashtëzakonshme. Në Selanik, departamenti i mbrojtjes civile ka bërë thirrje për kufizimin e lëvizjeve të banorëve në zonat Pilea dhe Hortiat për shkak të erërave të forta – erëra që kanë arritur më shumë se 80 km/h.

Ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike në zonë pasi erërat e forta dhe pemët e rrëzuara kanë dëmtuar rrjetin elektrik. Ndërprerjet e energjisë kanë shkaktuar edhe vonesa në linjën hekurudhore Selanik-Athinë.

Ndërkohë, një anije mallrash e ankoruar në portin e Selanikut është përplasur me një anije tjetër për shkak të erërave të forta, duke shkaktuar dëmtime në të dyja anijet.

Parashikuesit thonë se Stuhia Bora ka gjasa të ndikojë në shumë pjesë të Greqisë deri në mëngjesin e së martës. Në orët e ardhshme, kushtet pritet të prekin rajonin e Egjeut Verior, Maqedoninë Qendrore (pjesa veriore e Greqisë), pjesë të Halkidikit, prefekturën e Selanikut, Imathinë, Piërinë, Thesalinë dhe Larisën. /MeteoKosova/

ARTIKUJ TË NGJASHËM

Back to top button
en_USEnglish
Close

Adblock Detected

Ju lutemi te fikni Ad Blocker!