Vendi ynë gjatë këtyre ditëve u përfshi nga stuhi të fuqishme lokale, ku së pari e pësoi Prishtina gjatë së Shtunës, e më pas të Dielën qyteti i Gjilanit. Po ashtu, edhe temperaturat pësuan ulje të ndjeshme.
Sasia e reshjeve që ra brenda 24 ore në Gjilan në intervale të caktuara kohore, arriti deri në 44.2 mm apo l/m2, e cila është e barabartë sa dyfishi i normës mesatare të Gushtit, me ç’rast u shkaktuan edhe përmbytje.
E gjithë kjo sasi u shkaktua nga intensiteti i fuqishëm i reshjeve, të cilat gjatë ditës në momente të caktuara kapi vlerën deri në 131.0 mm/hr.
Çka do të thotë kjo? Kjo do të thotë se po të vazhdonte me një intensitet të tillë, brenda një ore do të grumbullonte sasinë prej 131 mm apo l/m2, me ç’rast do të shkaktoheshin vërshime masive në vend!
Duke filluar nga java e ardhshme, pritet intervale më të gjata me diell dhe ngritje e ndjeshme e temperaturave, mirëpo në momente dhe zona të caktuara priten edhe zhvillime të vranësirave, duke gjenuar rrebeshe lokale shiu, e shkarkesa rrufesh.
Masat e nxehta do të fuqizohen ndjeshëm nga dita e Enjte dhe të Premten, duke bërë që temperaturat maksimale të arrijnë edhe mbi 35°C në shkallë vendi.
Në fundjavë, parashihet të depërtojnë masa të freskëta ajrore, duke sjellur sërish destabilizim të motit dhe ulje të temperaturave, për të cilat do të informoheni më në detaje në postimet tona të radhës.
Më poshtë i gjeni disa nga videot me të reshurat e fuqishme që karakterizuan fundjavën. /MeteoKosova/