Vendi ynë gjatë kësaj jave do të ndikohet kryesisht nga kushte të qëndrueshme atmosferike dhe të masave të ngrohta ajrore, me përjashtim në mesjavë ku pritet një tjetër goditje e masave të ftohta ajrore.
Në këtë mënyrë, pas mëngjesit me acar, dita e sotme po vijon kryesisht me diell dhe me ngritje të temperaturave.
Edhe të Martën do të mbajë mot kryesisht me diell, mëngjesi do të jetë i ftohtë ndërsa dita relativisht e ngrohtë.
Nga dita e Mërkurë, do të depërtojnë masa të ftohta dhe të lagështa nga veriperëndimi i kontinentit, me ç’rast fillimisht do të sjellin reshje shiu, të cilat gjatë pasditës dhe mbrëmjes pritet të shndërrohen në reshje bore në pjesën dërrmuese të vendit.
Të Enjten do të vazhdojë të mbajë mot i vranët dhe me reshje të izoluara bore, sidomos përreth zonave malore.
Nga dita e Premte dhe në fundjavë pritet gradualisht të shtrihen masat e ngrohta dhe të përmirësohen kushtet e motit. Pra, të Premten pritet mot me diell dhe vranësira, ndërsa në fundjavë mot me diell dhe relativisht i ngrohtë.
Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, ndërsa në mesjavë nga drejtimi i veriut, e cila kohë pas kohe pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 20-70 km/h!
Temperaturat minimale do të luhaten prej -4 deri në 5°C, ndërsa ato maksimale prej 3 deri në 19°C. /MeteoKosova/