Cikloni i pozicionuar mbi Greqi, i cili solli përmbytje masive atje, tek ne u shoqërua me reshje të dendura shiu dhe bore në të gjithë vendin në javën që lamë pas.
Ky ciklon, tashmë gradualisht ka marrë rrugën drejt lindjes së kontinentit, ndërsa mbi vendin tonë do të ketë një përmirësim të shkurtër në kushtet e motit në fillim të kësaj jave, përpara se të arrijnë masa të tjera të lagështa në mesjavë, duke sjellur sërish reshje shiu e bore.
Pra, dita e sotme (e hënë) po karakterizohet me vranësira dhe intervale të shkurta me diell por e ftohtë.
Të martën, pas mëngjesit lokalisht me mjegull dhe vranësira të ulëta, dita do të vijojë me diell dhe vranësira të pakta, përderisa edhe temperaturat do të shënojnë ngritje të lehtë.
Të mërkurën parashikohet mot i vranët, me përjashtim për ndonjë reshje të izoluar gjatë orëve të para të 24-orëshit apo në mëngjes, ndërsa gradualisht vonë në mbrëmje, e sidomos gjatë natës, pritet të arrijnë masa të lagështa, duke sjellur reshje lokale shiu, të cilat mund të përzihen me borë në zona të caktuara, sidomos në zonat më të larta, ndërsa në ato malore, borë.
Të enjten do të kemi fuqizim të këtyre masave, të cilat në kombinim me ajrin e ftohtë, do të sjellin reshje shiu dhe bore në shkallë vendi. Në pjesën e parë të ditës, reshjet parashihet të jenë kryesisht në formë të shiut, ndërsa gjatë orëve të pasditës dhe mbrëmjes, pritet të shndërrohen në ato të borës, kryesisht në Rrafshin e Kosovës, ndërsa në atë të Dukagjinit, kryesisht reshje shiu.
Të premten, pas reshjeve gjatë orëve të para të 24-orëshit, dita do të vijojë kryesisht e vranët, dhe me një ngritje të lehtë të temperaturave, ndërsa në mbrëmje pritet të kemi sërish reshje, kryesisht në formë të shiut.
Sa i përket fundjavës, pritet të kemi sisteme të reja me reshje dhe masa më të ftohta, duke sjellur reshje shiu e bore në shkallë vendi.
Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila kohë pas kohe pritet të jetë e fuqishme, konkretisht në fundjavë, me shpejtësi prej 15-45 km/h.
Temperaturat minimale do të lëvizin prej -1 deri në 2°C, ndërsa ato maksimale prej 1 deri në 9°C. /MeteoKosova/