BallinaKuriozitete

MADHËSHTORE! Eklipsi i Pjesshëm Diellor “pushton” qiellin të Martën, 25 Tetor 2022

Këtë të Marte, Toka do të përjetojë një eklips të pjesshëm diellor që do të jetë i dukshëm nga pjesë të Evropës, Azisë perëndimore dhe Afrikës verilindore. Vrojtuesit e qiellit në pjesë të tjera të botës, si në SHBA, mund ta humbasin këtë ngjarje, por ata mund ta shikojnë atë drejtpërdrejt në internet falas.

Mbi vendin tonë eklipsi i pjesshëm diellor do të fillojë të Martën, më 25 Tetor, në orën 11:26 kur hëna kalon përballë diellit dhe do të përfundojë në orën 13:42. Kulmi apo maksimumi i eklipsit do të jetë në orën 12:34, e cila është pjesa më madhështore e eklipsit.

Eklipset diellore ndodhin kur hëna kalon midis Tokës dhe diellit duke hedhur një hije në planet dhe duke bllokuar plotësisht ose pjesërisht rrezet e diellit. Eklipsi i pjesshëm i 25 Tetorit është eklipsi i dytë i pjesshëm i vitit 2022, i fundit që ndodhi më 30 Prill dhe përfshiu Paqësorin juglindor dhe Amerikën Jugore.

Kështu do të duket eklipsi në pikën maksimale në orën 12:34 në Kosovë!

Sipas NASA-s, materialet e mëposhtme nuk duhet të përdoren kurrë për të parë një eklips diellor:

  • syze dielli të çdo lloji
  • film fotografik
  • film me rreze X (rëntgen)
  • xham i errësuar
  • disketë

“Unë personalisht kam përdorur edhe film apo fotografi me rreze X (rëntgen) dhe nuk ka ndikuar asgjë negativisht në të pamurit! E gjithë kjo le të mbetet në dorën tuaj, por kurrsesi të vëzhgohet me sy të lirë, madje as me syze dielli!

Dielli mund të djegë retinat në sy duke çuar në dëmtime të përhershme apo edhe verbëri. Kjo mund të ndodhë edhe nëse sytë tuaj janë të ekspozuar ndaj rrezeve të diellit direkt për vetëm disa sekonda.

Rekomandohet të përdoren syza solare si dhe për këtë fenomen, OJQ “Astronomy Outreach of Kosovo”, ka organizuar një ngjarje për vrojtimin e Eklispit të Pjesshëm Diellor tek sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë prej orës 11:30-14:00.

As eklipset diellore të pjesshme dhe as eklipset e plota diellore nuk janë kurrë të dukshme nga të gjitha pjesët e Tokës. Kjo është për shkak se Hëna është shumë më e vogël se Toka dhe hija e saj është vetëm disa qindra kilometra e gjerë, që do të thotë se ajo mund të bjerë vetëm në një pjesë të sipërfaqes së planetit në çdo kohë.

Maksimumi që disku i diellit do të mbulohet më 25 tetor është 82% në një vend të quajtur “pika e eklipsit qendror”. Ky është vendi në Tokë në të cilin një vijë imagjinare që lidh qendrën e diellit dhe qendrën e hënës takohet me sipërfaqen e planetit tonë.

Gjatë eklipsit të 25 Tetorit, pika e eklipsit qendror do të jetë në Polin e Veriut. Duke lëvizur nga këtu, rajonet më larg nga pika do të shohin gjithnjë e më pak diskun e diellit të eklipsuar. Në Rusi, 80% e diellit do të eklipsohet, më pas do të pasohet me 70% në Kinë, 63% në Norvegji dhe 62% në Finlandë. Duke vazhduar tutje me 30% në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, 28% në Mal të Zi dhe 27% në Shqipëri.

Ky eklips nuk do të jetë një eklips total diellor askund në botë, sepse gjatë ngjarjes hëna dhe dielli nuk do të jenë në një linjë të përkryer, kështu që nuk ka askund në Tokë që hëna të mbulojë plotësisht diellin. /MeteoKosova/

Related Articles

Back to top button
sqAlbanian
Close

Adblock Detected

Ju lutemi te fikni Ad Blocker!