Vendi ynë gjatë kësaj jave do të nisë nga depërtimi i një mase të ftohtë me origjinë polare, e cila do të sjellë edhe destabilizim të fuqishëm në vend.
Kjo masë e ftohtë do të fillojë të largohet nga mesjava, kur edhe pritet përmirësim i përkohshëm i motit.
Si rrjedhojë, pjesa e parë e ditës së sotme ka filluar me vranësira të dendura dhe reshje shiu, të cilat lokalisht u përcollen edhe me shkarkesa rrufesh. Në orët vijuese, sidomos në mbrëmje, pritet të depërtojë fronti i ftohtë, i cili do të sjellë reshje shiu, lokalisht në formë të rrebesheve, të shoqëruara me shkarkesa rrufesh dhe erëra të fuqishme. Vonë në mbrëmje, në veri dhe verilindje të vendit, reshjet e shiut mund të përzihen apo shndërrohen në ato të borës.
Të Martën vendi do të mbetet plotësisht nën ndikimin e masave të ftohta, e cila do të karakterizohet me vranësira dhe intervale me diell, e lokalisht do të ketë edhe reshje bore, kryesisht gjatë orëve të pasdites dhe në mbrëmje.
Të Mërkurën, pas mëngjesit me acar, gjatë ditës pritet gradualisht të tërhiqen masat e ftohta drejt lindjes së kontinentit. Moti do të nisë i kthjellët, ndërsa në orët vijuese, sidomos pasdite, pritet shtim i vranësirave. Temperaturat do të shënojnë ngritje graduale.
Dita e Enjte do të karakterizohet kryesisht me diell dhe relativisht i ngrohtë.
Edhe dita e Premte do të jetë relativisht e ngrohtë, megjithatë priten edhe vranësira të pjesshme, të cilat mund të sjellin edhe ndonjë reshje lokale.
Të Shtunën, pritet gradualisht përkeqësim i motit, ku priten vranësira më të shtuara dhe reshje lokale shiu, ku mund të shoqërohen me ndonjë shkarkesë elektrike.
Nga dita e Dielë, pritet të arrijë një tjetër masë e ftohtë, e cila do të sjellë shtim të vranësirave dhe reshje shiu, të shoqëruara me ndonjë shkarkesë elektrike.
Kjo masë e ftohtë parashihet të fuqizohet gjatë javës së ardhshme, duke sjellur edhe reshje bore dhe ulje drastike të temperaturave.
Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila kohë pas kohe pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 15-75 km/h! Ka mundësi të ketë dëme materiale.
Temperaturat minimale do të luhaten prej -5 deri në 8°C, ndërsa ato maksimale prej 3 deri në 20°C. /MeteoKosova/