Të Martën dhe të Mërkurën pjesë të Evropës dhe Ballkanit u përfshinë nga stuhi të forta shkatërrimtare, ku gjeten vdekjen edhe 6 persona, ndërsa Evropa Jugore vazhdon të përballet me një valë të të nxehtit.
Dhjetëra njerëz janë lënduar gjithashtu si pasojë e erërave të forta dhe shiut të dendur që kanë goditur vendet, përfshirë Kroacinë, Bosnjën, Serbinë dhe Slloveninë.
Në kryeqytetin e Kroacisë, Zagreb, dy persona, një 50-vjeçar dhe një 48-vjeçar, humbën jetën pasi u goditën nga rrëzimi i pemëve.
Një zjarrfikës në qytetin kroat lindor të Tovarnik vdiq gjithashtu gjatë stuhisë, tha njësia e tij, duke mos zbuluar detaje të tjera.
Një person tjetër thuhet se ka vdekur në Kroaci, një në Slloveni dhe një në Bosnje.
Diku tjetër në Zagreb, një 36-vjeçar u plagos rëndë kur një vinç ndërtimi u shemb, tha policia.
Nga parashikimet e fundit, dita e sotme dhe e Shtune, sërish do të mbetet nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme dhe mjaft të rrezikshme, duke prodhuar sërish stuhi të forta dhe shkatërrimtare që i përgjigjen kategorisë së tretë apo alarmit të kuq.
Vendet të cilat gjenden në alarmin e kuq janë, Italia Veriore, Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, pjesa jugore e Hungarisë dhe pjesa më e madhe e Serbisë.
Kosova gjendet në alarmin e verdhë në pjesën veriore gjatë këtyre ditëve, ndërsa të Dielën në atë pjesërisht portokalli, ku mund të ketë ndonjë rrebeshe lokale dhe shkarkesa elektrike.
Temperaturat vijojnë të jenë të larta, ndërsa të Dielën parashihet të ketë një ulje të lehtë, e veçmas nëse përfshihet nga të reshurat.
Më poshtë i gjeni të bashkangjitur hartat nga dita e Premte e deri të Dielën. /MeteoKosova/