Pas frontit të ftohtë që solli reshje shiu e bore mbi vendin tonë dhe jo vetëm, tani një presion i ulët atmosferik (ciklon) në Detin Jon, po lëvizë gradualisht drejt lindjes, në këtë rast Greqisë, duke çuar në një përkeqësim të kushteve të motit. Ky sistem ka marrë emrin Bora.
Stuhia do të nisë në orët vijuese të mbrëmjes, duke sjellë reshje të dendura shiu dhe shkarkesa rrufesh, disa prej të cilave mund të jenë të fuqishme. Cikloni do të vazhdojë gjatë gjithë fundjavës, duke sjellur një sasi të reshjeve prej 300-400 mm brenda 72 orëve, me ç’rast priten përmbytje masive.
Përveç reshjeve dhe shkarkesave elektrike, lokalisht priten erëra me forcë uragani, me shpejtësi maksimale prej 120-140 km/h. Në zonat malore të Maqedonisë (pjesa veriore e Greqisë) dhe Epirit, priten reshje të dendura bore, duke e rënduar situatën në ato zona, me trashësi deri në 2 metër.
Reshje ekstreme priten edhe në pjesën jugore të Maqedonisë së Veriut, ndonëse sasia e reshjeve do të jetë përgjysmë më e vogël, megjithatë mjaft e lartë, duke sjellë edhe atje përmbytje lokale. Në zonat malore të larta priten reshje të dendura bore, ku trashësia mund të arrijë deri në 1 metër. Reshje bore lokalisht parashihet të ketë edhe në ultësira.
Për dallim nga këto dy shtete fqinje, në Kosovë pritet valë e re me reshje shiu e bore, duke filluar që nga orët e hershme të mëngjesit të së shtunës.
Fillimisht parashihet të jenë të pranishme reshjet e borës në pjesën më të madhe të vendit, me mundësi edhe në të gjithë Rrafshin e Dukagjinit, qoftë edhe për një periudhë të shkurtër kohore, ndërsa gradualisht orëve të pasditës, sidomos në mbrëmje vonë, reshjet e borës pritet të shndërrohen në ato të shiut.
Edhe dita e dielë do të mbetet me të reshura, ndonëse në sasi më të pakta, të cilat do të jenë kryesisht në formë të shiut, megjithatë vonë pasdite dhe në mbrëmje, lokalisht pritet të shndërrohen në ato të borës, sidomos në Rrafshin e Kosovës. Në zonat malore trashësia totale pritet të arrijë rreth 50 cm. /MeteoKosova/