
Gjatë kësaj jave, vendi ynë do të mbetet nën ndikimin e masave të paqëndrueshme atmosferike. Si pasojë, dita e sotme u karakterizua nga diell, vranësira dhe temperatura mjaft të larta, me vlera që arritën deri në 36°C.
Nga dita e martë, pritet të depërtojnë gradualisht masa më të freskëta dhe të lagështa nga veriperëndimi i kontinentit.
Nën këto kushte, parashikohet mot me diell dhe vranësira. Rreth mesditës dhe në orët vijuese, përfshirë ato të mbrëmjes, priten rrebeshe të izoluara shiu në zona të caktuara, të shoqëruara me disa shkarkesa rrufesh. Temperaturat maksimale do të pësojnë ulje për të paktën 8°C në disa zona, me rënie më të ndjeshme në rajonet ku do të ketë reshje.
Të mërkurën, parashikohet mot me diell dhe vranësira, ndërsa temperaturat do të shënojnë një rritje të lehtë.
Të enjten, masat e freskëta do të fuqizohen më tej, duke sjellë mot me diell dhe vranësira, ndërsa lokalisht priten rrebeshe shiu dhe shkarkesa rrufesh.
Të premten, gjatë orëve të para të 24-orëshit parashihet të kalojë një sistem frontal, që do të sjellë rrebeshe lokale shiu dhe shkarkesa rrufesh. Më pas, dita do të vijojë me vranësira dhe intervale me diell, ndërsa temperaturat do të pësojnë një ulje të ndjeshme.
Gjatë fundjavës, pritet rikthimi i masave të nxehta. Si rrjedhojë, moti do të jetë kryesisht me diell dhe me rritje të temperaturave, të cilat të dielën parashikohet të arrijnë deri në 35°C.
Era do të fryjë nga drejtime të ndryshme, por më së shumti nga verilindja, ndërsa herë pas here pritet të jetë mjaft e fuqishme – veçanërisht të enjten – me shpejtësi prej 15 deri në 60 km/h.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 12 deri në 20°C, ndërsa ato maksimale nga 24 deri në 36°C. /MeteoKosova/



