Solstici veror: Sot, më 21 qershor kemi hyrë zyrtarisht në verë dhe njëkohësisht është dita më e gjatë e vitit

Sot, më 21 qershor 2025, në orën 04:42 sipas kohës lokale, ndodhi solstici veror në Hemisferën Veriore. Kjo është dita kur Dielli arrin lartësinë maksimale në qiell për këtë hemisferë dhe si rezultat, dita ka gjatësinë më të madhe të ndriçimit diellor gjatë vitit.
Solstici veror ndodh për shkak të pjerrësisë së boshtit të Tokës, i cili është i anuar rreth 23.5 gradë në raport me planin e orbitës së saj rreth Diellit. Si pasojë e kësaj pjerrësie, në këtë pikë të orbitës, pjesa veriore e Tokës është më e kthyer drejt Diellit, duke bërë që rrezet të bien më drejtpërdrejt mbi këtë pjesë të planetit.
Në të njëjtën kohë, në Hemisferën Jugore ndodh solstici dimëror – dita më e shkurtër dhe nata më e gjatë e vitit për atë hemisferë. Pas solsticit veror, në Hemisferën Veriore, ditët fillojnë të shkurtohen gradualisht, deri në momentin e solsticit dimëror në dhjetor.
Solstici veror është një nga katër momentet kryesore të ndërrimit të stinëve në kalendarin astronomik, së bashku me ekuinoksin e pranverës, ekuinoksin e vjeshtës dhe solsticin dimëror.
Dita më e gjatë, por jo më e nxehta
Megjithëse solstici veror përkon me ditën më të gjatë të vitit, temperaturat më të larta zakonisht vërehen disa javë më vonë. Kjo ndodh për shkak të efektit të vonuar të ngrohjes së sipërfaqes së Tokës dhe oqeaneve – një fenomen i njohur si “vonesa sezonale termike”. /MeteoKosova/