
Muaji maj po vazhdon të sjellë befasira, duke na bërë shpesh të “harrojmë” që jemi në prag të verës.
Pas një jave me ulje drastike të temperaturave, reshje intensive shiu dhe borë të dendur në zonat malore, veçanërisht të premten e kaluar, si pasojë e masave të ftohta me origjinë polare – edhe këtë fundjavë pritet të depërtojnë masa të ngjashme. Në kombinim me një ciklon që vjen përmes Afrikës Veriore dhe pozicionohet mbi Greqi, këto masa do të sjellin reshje shiu, ndërsa në zonat malore – reshje bore.
Të shtunën pritet shtim i vranësirave dhe reshje lokale shiu. Reshjet më të pakta do të jenë në zonat perëndimore, veriperëndimore dhe veriore, ndërsa më të theksuara në jug, juglindje dhe lindje. Temperaturat do të pësojnë ulje drastike: nga 26-27°C sa ishin sot, në rreth 10°C.
Të dielën moti parashikohet kryesisht i vranët, me reshje të pakta lokale shiu, kryesisht në jug, juglindje dhe lindje. Në zonat e larta malore priten reshje të pakta bore. Pasdite, reshjet pritet të ndërpriten, me kthjellime të pjesshme, sidomos në Rrafshin e Dukagjinit. Temperaturat do të shënojnë rritje graduale, me maksimale nga 13°C deri në 18°C.
Ndërkohë, cikloni i pozicionuar mbi Greqi do të sjellë reshje intensive lokalisht në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, si dhe në zonat e Greqisë dhe Bullgarisë, ku priten edhe përmbytje. Më pas, ai do të vijojë drejt Rumanisë, Moldavisë, Ukrainës, Bjellorusisë dhe Rusisë. /MeteoKosova/