
Fillimi i kësaj jave do të nisë i paqëndrueshëm, ndërsa në pjesën e dytë të javës pritet rikthimi i valës së nxehtësisë, me temperatura që pritet të jenë më të lartat e regjistruara deri më tani këtë vit.
Si rrjedhojë, dita e sotme ka filluar me diell, ndërsa gjatë ditës dhe në mbrëmje pritet që herë pas here të ketë zhvillime lokale të vranësirave, të cilat do të gjenerojnë rrebeshe të izoluara shiu. Nuk përjashtohet mundësia për vetëtimë dhe bubullimë.
Të martën, fillimisht moti do të karakterizohet me diell dhe vranësira, ndërsa rreth mesditës pritet të depërtojë një front i dobët ajror, i cili do të sjellë rrebeshe lokale shiu, të shoqëruara me disa shkarkesa rrufesh, kryesisht gjatë orëve të pasdites. Temperaturat do të pësojnë ulje, me ndjeshme në gjysmën e epërme të Kosovës.
Nga dita e mërkurë pritet stabilizim i motit, me ç’rast moti parashikohet kryesisht me diell dhe me ngritje të temperaturave nga dita në ditë. Gjatë kësaj periudhe kohore, nuk përjashtohet mundësia për ndonjë zhvillim të izoluar në ndonjë zonë të caktuar, sidomos gjatë fundjavës.
Era do të fryjë nga drejtime të ndryshme, e cila herë pas here pritet të jetë e fuqishme, sidomos të martën, me shpejtësi prej 15 deri në 45 km/h.
Temperaturat minimale do të lëvizin prej 13 deri në 20°C, ndërsa ato maksimale prej 25 deri në 38°C. Temperaturat maksimale më të ulëta pritet të regjistrohen të martën. /MeteoKosova/



