Vendi ynë edhe gjatë kësaj jave do të mbetet nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike. Si rrjedhojë, e gjithë java parashikohet me diell e vranësira, ku në lokalitete dhe periudha të ndryshme kohore, priten edhe rrebeshe shiu, të shoqëruara me shkarkesa rrufesh dhe breshër.
Pluhuri Saharian do të vazhdojë deri në mes të javës, me ç’rast reshjet do të përzihen me baltë.
Disa nga stuhitë mund të jenë të ashpërta! Si pasojë e reshjeve intensive në lokalitete, priten edhe vërshime.
Era do fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila në momente të caktuara pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 15-80 km/h!
Në aspektin termik, në pjesën e dytë të javës priten temperatura më të ulëta, si pasojë e masave më të ftohta që vijnë nga perëndimi i kontinentit. Minimalet gjatë javës do të lëvizin prej 10 deri në 16°C, ndërsa ato maksimale prej 19 deri në 27°C. /MeteoKosova/