
Gjatë kësaj jave moti do të karakterizohet i paqëndrueshëm, me vranësira të shpeshta dhe reshje shiu, ku nuk do të mungojnë as rrezet e diellit.
Dita e sotme u karakterizua me diell, ndërsa mëngjesi lokalisht ishte me mjegull nëpër lugina dhe ultësira. Temperatura maksimale arriti deri në 23°C në shkallë vendi.
Nga dita e martë pritet gradualisht përkeqësim i motit. Fillimisht gjatë pjesës së parë të ditës do të ketë diell dhe vranësira, ndërsa pasdite pritet shtim i tyre në të gjithë vendin, duke u pasuar nga një sistem frontal që vie nga perëndimi i kontinentit.
Ky sistem pritet të sjellë reshje shiu në të gjithë vendin deri në mesnatë, lokalisht në formë të rrebesheve, të shoqëruara me shkarkesa të shpërndara elektrike.
Të mërkurën pritet një përmirësim afatshkurtër i motit, i dominuar me diell dhe vranësira, përderisa në zona të caktuara mund të ketë ndonjë reshje të izoluar. Krejtësisht vonë rreth mesnatës pritet të arrijë një valë kalimtare me të reshura.
Dita e enjte do të vijojë me vranësira dhe intervale me diell, ku pritet lokalisht të ketë reshje të pakta shiu.
Nga dita e premte, sidomos orëve të pasdites dhe mbrëmjes, pritet të arrijë të arrijë sërish një sistem frontal, kësaj here dukshëm më i fuqishëm, i cili do të sjellë reshje të shumta shiu, përfshirë edhe ditën e shtunë, kur edhe pritet një ulje më e ndjeshme e temperaturave, tipike vjeshtore. Lokalisht priten edhe shkarkesa elektrike dhe ka mundësi për vërshime.
Dita e diel parashikohet me diell dhe vranësira, lokalisht me reshje të pakta shiu, përderisa temperaturat shënojnë ngritje të lehtë.
Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila kohë pas kohe pritet të jetë mjaft e fuqishme, sidomos të Premten, me shpejtësi prej 20-70 km/h!
Temperaturat minimale do të lëvizin 5 deri në 11°C, ndërsa ato maksimale prej 13 deri në 24°C.
Vlerat më të larta do të regjistrohen të martën, më pas nga e mërkura deri të premten do të pësojnë ulje të lehtë dhe pothuajse mbesin konstante, ndërsa vlerat më të ulëta priten të shtunën. /MeteoKosova/