BallinaKosovë

Java nisë me temperatura rekord, nga e Mërkura destabilizim i motit dhe ulje e temperaturave

Dita e Dielë solli lehtësim sado pak nga të nxehtit ekstrem në shumë vende të Kosovës, ndërsa pjesa jugore dhe jugperëndimore nuk u prek fare nga të reshurat.

Ditët e para të kësaj javës së fundit të Korrikut, do të mbesin nën ndikimin e plotë të të nxehtit afrikan, me ç’rast moti do të karakterizohet kryesisht me diell dhe temperatura jashtëzakonisht të larta, ku të Martën pritet të regjitstrohen temperatura rekord deri më tani për këtë vit, duke arritur deri në 39 apo 40°C.

Po ashtu, të Martën do të ketë erëra të fuqishme lokale nga perëndimi dhe jugperëndimi.

Nga dita e Mërkurë pritet gradualisht të depërtojnë masat e ftohta nga veriperëndimi i kontinentit, i cili do të sjellë edhe destabilizim të motit.

Fillimisht, nën këto kushte moti do të karakterizohet me diell dhe vranësira, ku mund të ketë ndonjë reshje të izoluar në mëngjesin e hershëm si dhe në pjesën e parë të ditës, ndërsa orëve të pasditës dhe mbrëmjes, me depërtimin e frontit të ftohtë, pritet të ketë rrebeshe lokale shiu, të shoqëruara me shkarkesa rrufesh dhe breshër. Gjithashtu, do të ketë erëra mjaft të fuqishme nga perëndimi dhe jugperëndimi, e cila do të zhvendoset nga drejtimi i veriut pas depërtimit të frontit.

Dita e Enjte do të mbetet nën ndikimin e masave më të ftohta, ku përpos reshjeve lokale gjatë orëve të hershme të mëngjesit, dita do të karakterizohet me diell dhe vranësira. Do të jetë dita më e këndshme pasiqë do të jetë një ditë dukshëm më e freskët, sidomos mbrëmja dhe nata.

Të Premten, pas mëngjesit mjaft të freskët, masat e nxehta do të fillojnë të rikthehen gradualisht, por jo në atë masë siç i kemi tani. Nën këto kushte, nga dita e Premte e në fundjavë, moti do të karakterizohet kryesisht me diell dhe me ngritje të temperaturave nga dita në ditë. Të Dielën në mbrëmje mundësi për ndonjë reshje të izoluar.

Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila kohë pas kohe pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 15-80 km/h! Parashihen dëme materiale në zona të caktuara.

Temperaturat minimale do të luhaten prej 9 deri në 24°C, ndërsa ato maksimale prej 22 deri në 40°C. /MeteoKosova/

*Sa për informatë, temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në Kosovë është 40.8°C në Prizren, më 25.07.1987.

Related Articles

Back to top button
sqAlbanian
Close

Adblock Detected

Ju lutemi te fikni Ad Blocker!