BallinaKosovë

Aktivizim i fortë i vorbullës polare: diell, stuhi ere dhe reshje, ndërsa fundjava sjell masa më të ftohta

Edhe gjatë kësaj jave vendi ynë do të mbetet nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike.

Si rrjedhojë, dita e hënë do të karakterizohet e ngrohtë, me diell dhe vranësira të pjesshme, ndërsa në zona të caktuara mund të ketë ndonjë reshje të izoluar. Do të ketë fuqizim të erës me drejtim nga perëndimi dhe jugperëndimi. Po ashtu, grimcat e pluhurit saharian do të rikthehen përkohësisht, me ç’rast në zonat ku ka të reshura, do të përzihen me baltë.

Edhe të martën do të vazhdojë të mbajë mot me diell dhe vranësira, me mundësi për ndonjë rrebesh të izoluar në lokalitete, të shoqëruar me ndonjë vetëtimë dhe bubullimë. Era do të fuqizohet pothuajse në pjesën më të madhe të vendit me drejtim nga perëndimi dhe jugperëndimi, ku herë pas here priten edhe stuhi ere me shpejtësi deri në 80 km/h, duke shkaktuar edhe dëme materiale. Në mbrëmje vonë pritet të arrijë fronti i ftohtë, ku priten edhe rrebeshe lokale shiu.

Të mërkurën, gjatë orëve të para të 24-orëshit priten rrebeshe lokale shiu. Dita do të mbetet nën ndikimin e masave më të ftohta ajrore, duke u karakterizuar me vranësira të shpeshta dhe intervale me diell, pa përjashtuar mundësinë për ndonjë reshje afatshkurtër.

Të enjten pritet të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta, përderisa masat e ftohta do të pësojnë një dobësim të lehtë, duke favorizuar ngritje të lehtë të temperaturave.

Të premten parashikohet mot me diell dhe vranësira, e lokalisht me ndonjë reshje të izoluar gjatë ditës, ndërsa në mbrëmje pritet të arrijnë gradualisht masa të ftohta dhe të lagështa nga veriperëndimi i kontinentit, duke sjellë intensifikim të reshjeve.

Dita e shtunë do të mbetet nën ndikimin e masave të ftohta, duke u dominuar nga moti kryesisht i vranët dhe reshje shiu, të shoqëruara me disa shkarkesa rrufesh. Temperaturat do të pësojnë ulje.

Edhe dita e diel parashikohet me mot kryesisht të vranët dhe me reshje lokale shiu. Temperaturat do të vazhdojnë të mbesin dukshëm të ulëta për këtë periudhë kohore.

Era do të fryjë nga perëndimi dhe jugperëndimi në ditët e para të javës, ku herë pas here priten stuhi, konkretisht të martën, me shpejtësi prej 15-80 km/h.

Temperaturat minimale do të lëvizin prej 4 deri në 15°C, ndërsa ato maksimale prej 13 deri në 25°C. Vlerat më të larta pritet të regjistrohen në fillim të javës, ndërsa ato më të ulëtat të mërkurën dhe në fundjavë. /MeteoKosova/

ARTIKUJ TË NGJASHËM

Back to top button
Close

Adblock Detected

Ju lutemi te fikni Ad Blocker!