Spektakël në qiell: Të dielën, më 7 shtator, Eklipsi Total Hënor, e njohur si “Hëna e Përgjakur”

Më 7 shtator 2025, qielli i natës do të sjellë një nga fenomenet më mbresëlënëse astronomike: Eklipsin Total të Hënës, i njohur ndryshe si “Hëna e Përgjakur”. Ky fenomen ndodh kur Toka vendoset mes Diellit dhe Hënës, duke e zhytur atë në hijen e saj. Në vend që të zhduket, Hëna merr një ngjyrë të kuqërremtë për shkak të filtrimit të dritës diellore nga atmosfera e Tokës.
Pse duket e kuqe Hëna?
Kur rrezet e Diellit kalojnë nëpër atmosferën e Tokës, drita blu shpërndahet, ndërsa ajo e kuqe kalon më lehtë dhe reflektohet në sipërfaqen e Hënës. Kjo është arsyeja pse gjatë një eklipsi total, Hëna merr një ngjyrë të kuqe, portokalli apo kafe, duke i dhënë edhe emrin e saj të njohur “Hëna e Përgjakur”.
Kur ndodh dhe sa zgjat?
Eklipsi do të zgjasë rreth 4 orë. Në Kosovë, fenomeni do të shihet pjesërisht për shkak se Hëna lind në kohën kur eklipsi tashmë ka filluar. Megjithatë, faza më interesante – ajo e Hënës së kuqe – do të jetë e dukshme nëse horizonti lindor është i hapur dhe moti i kthjellët.
Orari i dukshëm për Kosovë:
- 19:00 – Lind Hëna, por për shkak të eklipsit total dhe pozitës së ulët mbi horizont, ajo do të jetë e zbehtë dhe e vështirë për t’u parë.
- 19:30 – Fillon eklipsi total; Hëna shfaqet me ngjyrë të kuqe të plotë.
- 20:10 – Kulmi i eklipsit; Hëna është më thellë në hijen e Tokës.
- 20:50 – Përfundon eklipsi total; Hëna nis të dalë nga hija dhe rifiton ndriçimin e saj.
- 21:55 – Përfundon eklipsi i pjesshëm.
- 22:55 – Përfundon i gjithë fenomeni kur Hëna largohet edhe nga gjysmehija e Tokës.
Ku do të shihet?
- Në Kosovë dhe pjesë të tjera të Evropës Lindore, Hëna do të shihet pjesërisht gjatë fazave të fundit.
- Në Azi, Australi dhe Afrikën Lindore, fenomeni do të jetë i dukshëm në tërësi.
- Në Amerikë, për fat të keq, eklipsi nuk do të jetë i dukshëm.
Si ta shikoni?
Ndryshe nga eklipsi diellor, eklipsi hënor është plotësisht i sigurt për t’u parë me sy të lirë. Nuk nevojiten syze speciale. Megjithatë, përvoja bëhet më e bukur nëse përdoren dylbi ose teleskopë të vegjël. Për kushte më të mira:
- Zgjidhni një vend të hapur me pamje nga horizonti lindor.
- Largohuni nga dritat e qytetit.
- Nëse qielli është i kthjellët, përgatitni kamerat për të kapur këtë moment të veçantë.
Një ngjarje që nuk duhet humbur
Eklipset totale të Hënës nuk ndodhin shpesh. Për Kosovën, kombinimi i lindjes së Hënës me fazën e saj të kuqërremtë do ta bëjë këtë mbrëmje të paharrueshme. Më 7 shtator, shikoni qiellin dhe do të dëshmoni një Hënë krejt ndryshe nga netët e zakonshme – të mbuluar me një ngjyrë unike që e bën të pazakontë dhe të jashtëzakonshme. /MeteoKosova/



