
Masat e ngrohta me origjinë nga Afrika Veriore tashmë kanë përfshirë një pjesë të madhe të kontinentit, duke përfshirë edhe vendin tonë.
Megjithatë, po mbizotërojnë kushte të paqëndrueshme atmosferike, si rezultat i formimit të sistemeve me presion të ulët atmosferik që vijnë nga Atlantiku. Këto sisteme po sjellin fuqizim të erërave nga drejtimi i jugperëndimit, me ç’rast temperaturat gjatë ditës së sotme kanë arritur rreth 20°C.
Nën këto kushte, sonte gjatë natës pritet të fillojnë gradualisht reshjet e shiut, të cilat lokalisht do të paraqiten në formë rrebeshesh.
Pra, të premten, gjatë orëve të para të 24-orëshit dhe mëngjesit, lokalisht priten rrebeshe shiu. Përndryshe, pjesa më e madhe e vendit do të karakterizohet me diell dhe vranësira të pakta.
Ndërkohë, erërat nga drejtimi i jugperëndimit pritet të fuqizohen edhe më shumë për shkak të afrimit të ciklonit “Charles”, duke arritur në momente të caktuara intensitet stuhie të fortë. Veçanërisht në Rrafshin e Dukagjinit, me hove të erës që mund të arrijnë shpejtësinë deri në 80 km/h.
Erërat e fuqishme mund të shkaktojnë dëme lokale, përfshirë thyerjen e degëve të mëdha, rrëzimin e pemëve të dobëta, si dhe dëmtime në çati, sera dhe struktura të lehta. Objektet e palidhura mirë mund të zhvendosen apo edhe të fluturojnë, duke paraqitur rrezik për njerëzit dhe pronën.
Gjatë ditës pritet të shtohet prania e vranësirave, të cilat më të përqendruara do të jenë në Rrafshin e Dukagjinit dhe në një pjesë të territorit drejt veriut. Vranësirat herë pas here do të gjenerojnë reshje lokale shiu, të cilat në momente të caktuara do të jenë në formë rrebeshesh. Ndërkohë, temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 23°C.
Në orët e mbrëmjes pritet intensifikim i reshjeve, kryesisht në gjysmën e epërme të Kosovës. Kjo përkon me afrimin e ciklonit “Charles” drejt rajonit tonë. Cikloni pritet të gjenerojë reshje intensive, shkarkesa rrufesh dhe mundësi për breshër të vogël.
Me kalimin e orëve të mbrëmjes dhe pas mesnate, pra gjatë orëve të para të 24-orëshit të së shtunës, reshjet pritet të zhvendosen gradualisht në drejtim të jugut. Si pasojë e reshjeve intensive, të cilat në disa zona mund të zgjasin për një periudhë të konsiderueshme kohore, priten përmbytje lokale.
Në orët e mëngjesit pritet të arrijë fronti i ftohtë, me ç’rast mund të paraqiten edhe fjollat e para të borës në disa zona të ulëta të Rrafshit të Kosovës, veçanërisht në rajonin e Podujevës.
Dita do të vijojë kryesisht e vranët dhe lokalisht me reshje shiu, ndërsa në disa zona reshjet mund të paraqiten edhe në formë bore. Gradualisht, intensiteti i reshjeve do të dobësohet, derisa deri në orët e mbrëmjes pritet të ndërpriten, duke u pasuar nga kthjellimet. Temperaturat minimale do të lëvizin prej 1 deri në 7°C, ndërsa ato maksimale prej 3 deri në 9°C.
Mëngjesi i së dielës do të jetë i ftohtë dhe kryesisht i kthjellët, ndërsa përgjatë luginave dhe ultësirave mund të krijohen kushte për paraqitjen e mjegullës. Në orët vijuese pritet gradualisht të ketë shtim të vranësirave, sidomos gjatë mbrëmjes, kur priten reshje lokale shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin prej -2 deri në 3°C, ndërsa ato maksimale prej 10 deri në 12°C.
Vlen të theksohet se ky ciklon i fuqishëm ndikimin më të madh do ta ketë në Mal të Zi dhe Shqipëri. Në Mal të Zi, reshjet më intensive pritet të përqendrohen në pjesët e brendshme të vendit, ndërsa bregdeti do të jetë dukshëm më pak i prekur. Në Shqipëri, më së shumti pritet të preket pjesa veriore, veçanërisht më në brendi të territorit.
Disa modele meteorologjike sugjerojnë se sasia totale e reshjeve mund të variojë nga 200-500 mm, nga dita e enjte deri të shtunën. Kjo sasi është thuajse e barabartë me normën mesatare vjetore të reshjeve në Kosovë. Si rezultat i këtyre sasive enorme të reshjeve, në zonat më të prekura priten përmbytje masive. /MeteoKosova/



