BallinaKosovë

Një “mini-verë” e përkohshme: Pas masave të ftohta të martën, temperaturat ngjiten deri në 29°C – në fundjavë tendencë për reshje

Pas depërtimit të masave të ftohta në fundjavën e kaluar, që sollën ulje të theksuara të temperaturave, nën 20°C të shtunën, kjo javë do të dominohet nga lëkundje të masave të ftohta dhe të ngrohta.

Kështu, dita e hënë nisi me temperatura mjaft të ulëta, duke zbritur deri në 7°C. Moti po karakterizohet me diell dhe vranësira, përderisa vlerat maksimale do të shënojnë ngritje të lehtë në dallim nga vlerat e së dielës, prej 22 deri në 25°C.

Të martën do të depërtojnë masa të ftohta dhe të lagështa, me ç’rast moti do të karakterizohet kryesisht i vranët dhe me reshje lokale shiu, kryesisht me intensitet të ulët. Gjatë ditës nuk përjashtohet mundësia për ndonjë rrebesh të izoluar. Temperaturat do të pësojnë sërish ulje.

Nga dita e mërkurë e deri të premten, pritet përmirësim i motit. Nën këto kushte, moti parashikohet kryesisht me diell. Megjithatë, në mëngjesin e së mërkurës mund të ketë mjegull në ultësira dhe lugina, si dhe vranësira më të theksuara lokalisht, përfshirë edhe ditën e premte. Temperaturat do të shënojnë ngritje graduale nga dita në ditë.

Sipas përditësimeve të fundit, në fundjavë mund të ketë depërtim të masave të ftohta, me ç’rast pritet të sjellin rrebeshe lokale shiu, disa shkarkesa rrufesh dhe ulje të temperaturave.

Era do të fryjë nga drejtime të ndryshme, e cila nga e premtja dhe gjatë fundjavës mund të jetë e fuqishme herë pas here, me shpejtësi prej 15-43 km/h.

Temperaturat minimale do të lëvizin prej 7 deri në 14°C, ndërsa ato maksimale prej 18 deri në 29°C. Vlerat më të ulëta priten të regjistrohen të martën. /MeteoKosova/

ARTIKUJ TË NGJASHËM

Back to top button
Close

Adblock Detected

Ju lutemi te fikni Ad Blocker!