
Pas valës së nxehtësisë që ka përfshirë Evropën Perëndimore, ku po regjistrohen edhe temperatura ekstreme dhe rekorde lokale, kjo masë e nxehtë ajrore ka filluar gradualisht të shtrihet edhe mbi rajonin tonë, ndonëse me intensitet më të ulët.
Gjatë këtyre ditëve mbi vendin tonë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta, ndërsa temperaturat do të shënojnë rritje graduale nga e shtuna deri të hënën apo të martën, duke arritur vlera maksimale deri në 38°C.
Gjithashtu, nga dita e hënë në orët e vona të pasdites pritet të ketë edhe rrebeshe të izoluara shiu, ndërsa nga mesi i javës parashikohet paqëndrueshmëri më e theksuar atmosferike dhe ulje e ndjeshme e temperaturave nën 30°C.
Gjithashtu, edhe Shqipëria do të përshkohet nga vala e të nxehtit, me temperatura që pritet të ngjiten deri në 42°C. Nga dita e martë pritet destabilizim gradual i motit, me rritje të paqëndrueshmërisë atmosferike.

Në Gjermani, vala e të nxehtit ka sjellë temperatura ekstreme dhe rekord të ri, ku të premten është regjistruar një vlerë preliminare prej 41.3°C në Saarbrücken-Burbach (Saarland), duke tejkaluar rekordin historik të mëparshëm prej 41.2°C (2019 në Tönisvorst dhe Duisburg-Baerl).
Kjo situatë pritet të vazhdojë edhe gjatë 3 ditëve radhazi, ndërsa kulmi i valës së të nxehtit pritet të arrihet të dielën, me temperatura deri në 43°C, duke e bërë këtë një nga episodet më ekstreme të nxehtësisë në rajon.
Ndërkohë, mbi Spanjën dhe Francën vazhdojnë të zhvillohen shtrëngata të fuqishme lokale, të cilat gjatë ditëve në vijim do të zhvendosen gradualisht drejt Gjermanisë, duke shënuar edhe fillimin e zbutjes së kësaj vale ekstreme të të nxehtit.
Nën këto kushte priten rrebeshe shiu, shkarkesa të forta rrufesh dhe erëra deri në 100 km/h. /MeteoKosova/



