BallinaKosovëRajon

Stuhi të forta dhe përmbytje në Shqipëri e Mal të Zi, fronti prek edhe Kosovën, çfarë do të ndodhë nga nesër

I nxehti afrikan dominoi gjatë ditës së sotme në vend dhe rajon, duke ngritur temperaturat deri në 37°C. Ndërkohë, një ciklon i fuqishëm, i cili ka përfshirë pjesë të Evropës dhe Italisë, pritet të arrijë në rajonin tonë të shtunën paradite. Stuhitë më të forta parashikohen në Mal të Zi dhe Shqipëri, ndërsa në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut do të arrijnë dukshëm më të dobësuara.

Ky sistem do të sjellë në Shqipëri dhe Mal të Zi rrebeshe intensive shiu, lokalisht rrëke, të shoqëruara me shkarkesa të ashpra rrufesh, breshër dhe erëra shumë të forta deri në 110 km/h. Në zona të caktuara priten vërshime të shpejta.

Edhe në Kosovë pritet kalimi i këtij fronti, mirëpo më i dobët, i cili do të shoqërohet me rrebeshe lokale shiu, shkarkesa rrufesh dhe erëra mjaft të fuqishme me shpejtësi deri në 90 km/h.

Reshjet do të fuqizohen sërish në mbrëmje dhe pas mesnate, lokalisht të përcjella me kushtet e lartcekura, veçanërisht në Shqipëri dhe Mal të Zi.

Temperaturat të shtunën do të pësojnë ulje për të pakten 15°C nga momenti i depërtimit të frontit.

Të dielën parashikohet mot me diell dhe vranësira, ndërsa në zona të caktuara do të ketë rrebeshe të izoluara shiu dhe disa shkarkesa rrufesh, kryesisht në Shqipëri dhe Mal të Zi. Temperaturat maksimale nuk do të kalojnë vlerën 28°C në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi, ndërsa në Maqedoninë e Veriut deri në 30°C. /MeteoKosova/

ARTIKUJ TË NGJASHËM

Back to top button
Close

Adblock Detected

Ju lutemi te fikni Ad Blocker!