
Gjatë kësaj jave vendi ynë do të mbetet nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme dhe të masave më të ngrohta ajrore.
Kështu, dita e sotme po mbretëron me mot kryesisht të vranët, ku lokalisht priten reshje të pakta shiu, më të përqëndruara në Rrafshin e Dukagjinit. Po, ashtu edhe temperaturat kanë shënuar ngritje në shkallë vendi.
Të martën pritet të depërtojnë masa të ftohta por të përkohshme, të cilat në orët e mëngjesit pritet të sjellin reshje të pakta lokale bore. Gjatë ditës parashihet vranësirat të tërhiqen.
Nga dita e mërkurë e deri të premten (gjysma e ditës), vendi do të mbetet nën ndikimin e masave të ngrohta ajrore, ndërsa moti do të karakterizohet me vranësira dhe intervale me diell, e lokalisht edhe me reshje shiu. Reshjet më të intensifikuara pritet në Rrafshin e Dukagjinit. Temperaturat do të shënojnë ngritje enorme në zona të caktuara, deri në 17°C.
Të premten pasdite pritet të arrijë një goditje e masave të ftohta nga veriu i kontinentit, ku pritet të sjellin ulje të temperaturave dhe reshje lokale bore. Deri në orët e mbrëmjes masat e ftohta pritet të shtrihen në të gjithë vendin.
Dita e shtunë parashikohet me vranësira dhe intervale me diell, e lokalisht me reshje bore.
Sipas parashikimeve aktuale, edhe dita e dielë vazhdon të mbetet me masa të ftohta por me diell. Varësisht nga shpejtësia në lëvizjen e reshjeve paraprake, gjendja mund të ndryshojë, për të cilën do të informoheni me kohë.
Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila kohë pas kohe dhe lokalisht pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 20-70 km/h!
Temperaturat minimale do të lëvizin prej -6 deri në 7°C, ndërsa ato maksimale prej -1 deri në 17°C. /MeteoKosova/