
Të shtunën parashikohet të mbajë mot kryesisht me diell në pjesën e parë të ditës, ndërsa gjatë orëve të pasditës pritet të zhvillohet një sistem i organizuar stuhish, duke sjellë lokalisht rrebeshe shiu, në momente të caktuara stuhi shumë të forta ere, breshër dhe shkarkesa të fuqishme rrufesh. Do të jetë jashtëzakonisht nxehtë.
Pluhuri saharian do të vazhdojë të mbetet i pranishëm, si pasojë e të cilit qielli do të jetë i turbullt, ndërsa në zonat me reshje, ato do të përzihen me baltë.
Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i veriut dhe veriperëndimit, ndërsa në zonat ku do të ketë zhvillime konvektive pritet të jetë në formën e stuhive shumë të forta, me shpejtësi maksimale deri në 90 km/h. Këto erëra mund të shkaktojnë dëmtime lokale, përfshirë thyerje të degëve të mëdha, rrëzim të pemëve të dobëta, dëmtime në çati, sera dhe struktura të lehta. Objektet e palidhura mund të zhvendosen ose të fluturojnë, duke paraqitur rrezik për njerëzit dhe pronën.
Temperaturat minimale do të lëvizin prej 17 deri në 21°C, ndërsa ato maksimale prej 33 deri në 38°C. Gjatë kalimit të stuhive dhe reshjeve, temperaturat përkohësisht do të pësojnë një ulje të theksueshme, rreth 20°C, apo edhe më poshtë. /MeteoKosova/



