
Të hënën parashikohet të mbajë mot me diell në orët e mëngjesit, ndërsa gjatë pasditës pritet të arrijë një sistem i organizuar stuhish, duke sjellë lokalisht rrebeshe shiu, stuhi shumë të forta ere deri në 90 km/h, breshër dhe shkarkesa të fuqishme rrufesh. Si pasojë e reshjeve intensive në një kohë të shkurtër, priten edhe vërshime lokale.
Era do të fryjë nga drejtime të ndryshme, ndërsa gjatë kalimit të sistemit të fuqishëm pritet të shfaqet në formën e stuhive shumë të forta, me shpejtësi deri në 90 km/h.
Këto erëra mund të shkaktojnë dëmtime lokale, përfshirë thyerje të degëve të mëdha, rrëzim të pemëve të dobëta, dëmtime në çati, sera dhe struktura të lehta. Objektet e palidhura mund të zhvendosen ose të fluturojnë, duke paraqitur rrezik për njerëzit dhe pronën.
Temperaturat minimale do të lëvizin prej 17 deri në 20°C, ndërsa ato maksimale prej 30 deri në 35°C. /MeteoKosova/



