
Pas ditëve të fundit me mot më të ngrohtë, ndonëse jo plotësisht stabil për shkak të reshjeve të izoluara dhe erërave të forta në zona të caktuara, nga nesër pritet një përkeqësim i ndjeshëm i motit.
Në këto kushte, gjatë ditës së enjte parashikohet të depërtojnë masa të ftohta nga veriperëndimi i kontinentit, duke sjellë reshje shiu në rang vendi, lokalisht në formë të rrebesheve si dhe një ulje të ndjeshme të temperaturave, veçanërisht në orët e pasdites, deri rreth 15°C ose më pak.
Po ashtu, reshjet lokalisht pritet të shoqërohen me disa shkarkesa rrufesh.
E premtja do të vijojë me vranësira dhe intervale me diell, ndërsa temperaturat pritet të shënojnë një rritje graduale.
Megjithatë, si të enjten ashtu edhe të premten, do të vazhdojnë të fryjnë erëra të fuqishme nga veriu, me shpejtësi që mund të arrijë deri në 50 km/h, duke ndikuar ndjeshëm në ndjesinë termike.
Fundjava parashikohet të jetë me diell dhe me vranësira të pakta. Temperaturat maksimale të dielën pritet të arrijnë deri në 27°C.
Java e ardhshme pritet të jetë kryesisht me diell dhe me temperatura të larta, mbi 30°C. /MeteoKosova/