
Gjatë kësaj jave vendi ynë do të mbetet nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike. Si rrjedhojë, masa më të ftohta dhe të lagështa do të depërtojnë gradualisht nga Oqeani Atlantik, të cilat do të kalojnë përmes Italisë.
Fillimisht, të hënën, pritet mot me diell dhe vranësira, ndërsa gjatë ditës ato do të shtohen, sidomos në perëndim të vendit, ku parashikohen reshje lokale. Në orët e mbrëmjes, reshjet pritet të shtrihen edhe në disa zona të tjera. Ka mundësi për vetëtimë dhe bubullimë.
Të martën pritet të arrijë cikloni nga Italia, si dhe masa më të ftohta nga veriperëndimi i kontinentit. Si rezultat, reshjet do të përfshijnë të gjithë vendin dhe lokalisht do të jenë në formë rrebeshi, të shoqëruara me ndonjë vetëtimë dhe bubullimë. Në zonat malore në perëndim dhe veri të vendit priten reshje bore.
Edhe të mërkurën do të vazhdojë mot i vranët, me reshje lokale shiu, ndërsa në disa zona reshjet mund të paraqiten në formë rrebeshi.
Si pasojë e reshjeve intensive nga e hëna deri të mërkurën, sidomos në Rrafshin e Dukagjinit, parashihet të ketë vërshime.
Të enjten pritet një përmirësim i përkohshëm i motit. Në orët e mëngjesit mund të ketë mjegull lokalisht nëpër lugina dhe ultësira, ndërsa dita do të vijojë me diell dhe vranësira. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia për ndonjë reshje të izoluar. Temperaturat do të shënojnë rritje.
Nga e premja dhe gjatë fundjavës pritet sërish shtim i vranësirave, me reshje lokale shiu herë pas here, ndërsa në momente të caktuara reshjet mund të jenë në formë rrebeshi, sidomos gjatë fundjavës.
Sipas parashikimeve të fundit – ndonëse ende të paqarta – në fundjavë është i mundur depërtimi i një goditjeje polare, e cila mund të sjellë edhe reshje bore. Për çdo ndryshim, do të informoheni në kohë.
Era do të fryjë nga drejtime të ndryshme dhe herë pas here mund të jetë mjaft e fuqishme lokalisht, me shpejtësi prej 16–59 km/h.
Temperaturat minimale do të jenë nga 1 deri në 9°C, ndërsa ato maksimale nga 10 deri në 20°C. Vlerat më të larta pritet të regjistrohen sot dhe të enjten. /MeteoKosova/



