
Një ciklon i fuqishëm nga Italia është zhvendosur drejt Detit Jon, konkretisht pranë Greqisë, duke sjellë shira të dendura dhe shkarkesa rrufesh.
Ndërkohë, një ciklon tjetër nga Deti Mesdhe, pranë Afrikës Veriore, pritet të qëndrojë të shtunën në afërsi të të njëjtit rajon.
Ky sistem do të jetë edhe më i fuqishëm, duke ndikuar pothuajse në të gjithë rajonin, konkretisht në Greqi, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Kosovë, Serbi, Bullgari, Mal të Zi, Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe në një pjesë të Rumanisë dhe Kroacisë.
Të shtunën, fillimisht priten reshje shiu, të cilat me depërtimin e masave të ftohta ajrore nga Siberia, gradualisht do të shndërrohen në borë në shumë vende të rajonit, përfshirë Kosovën.
Deri në orët e vona të mbrëmjes pritet ky kalim, ndërsa pas mesnatës bora do të mbizotërojë në të gjithë vendin.
Bora do të vazhdojë deri në orët e mëngjesit të së dielës, me intensitet të ndryshueshëm, por gradualisht në dobësim, ndërsa pritet të ndërpritet deri rreth mesditës. Shtresa e borës do të arrijë nga 0-15 cm në zonat e ulëta, ndërsa në ato malore deri në 30 cm.
Herë pas here priten erëra të forta, të cilat mund të krijojnë efektin e stuhive të përkohshme, me shpejtësi deri në 45 km/h.
Gjatë javës së ardhshme priten kushte të thata dhe kryesisht të kthjellëta, ndërsa acari siberian do të fuqizohet edhe më tej.
Si rrjedhojë, deri në mesjavë, temperaturat minimale pritet të zbresin deri në -15°C, ndërsa ato maksimale do të sillen rreth 0°C, kryesisht në vlera negative në Rrafshin e Kosovës, ndërsa në Rrafshin e Dukagjinit pak mbi 0°C.
Kjo situatë atmosferike zhvillohet në një periudhë mjaft të veçantë klimatike, në sfondin e një El Niño jashtëzakonisht të fuqishëm, i cili fillimisht u cilësua si Super El Niño, ndërsa së fundmi po merr edhe epitetin Mega El Niño.
Njëkohësisht, në fillim të nëntorit u regjistrua një Ngrohje e Papritur e Stratosferës (Sudden Stratospheric Warming – SSW), ngjarja më e hershme e këtij lloji në historinë e vrojtimeve që nga viti 1958, duke thyer rekordin e mëparshëm të regjistruar në fund të nëntorit.
Ndikimet e këtyre çrregullimeve atmosferike mund të reflektohen në motin e Evropës me një vonesë prej disa javësh, duke favorizuar depërtimin e masave të ftohta ajrore drejt kontinentit tonë.
Pra, përpara na presin disa ditë mjaft të acarta, të cilat, pavarësisht se jemi në fund të nëntorit dhe në fillim të dhjetorit, do t’u ngjajnë më shumë kushteve tipike të janarit apo shkurtit, kur zakonisht jemi mësuar të përjetojmë periudhat më të ftohta të dimrit.
Për detaje të tjera dhe më të sakta do t’ju informojmë në postimet tona të radhës, ndërsa në fillim të javës së ardhshme do të publikojmë edhe parashikimin javor të motit. /MeteoKosova/


