Hëna zhytet në hijen e Tokës: Më 28 gusht 2026, eklipsi i pjesshëm hënor pushton gjysmën e botës, kështu duket nga Kosova

Të premten, në orët e para të 28 gushtit 2026, Hëna do të kalojë përmes hijes së Tokës, duke sjellë një eklips të thellë të pjesshëm hënor.
Ky do të jetë një fenomen veçanërisht interesant, pasi në maksimum rreth 96% e diskut të Hënës do të futet në hijen e errët të Tokës. Për shkak të kësaj, pjesa e eklipsuar mund të marrë nuanca të kuqe, portokalli ose bakri, të ngjashme me ato që shihen gjatë një eklipsi total hënor.
Çfarë është një eklips hënor?
Eklipsi hënor ndodh kur Toka pozicionohet midis Diellit dhe Hënës, duke bërë që hija e Tokës të bjerë mbi Hënë.
Në një eklips të pjesshëm, Hëna nuk futet plotësisht në hijen e errët të Tokës, të quajtur umbra. Një pjesë e vogël e saj mbetet e ndriçuar nga Dielli, ndërsa pjesa tjetër errësohet.
Më 28 gusht, eklipsi do të jetë veçanërisht i thellë, pasi rreth 96% e diskut të Hënës do të futet në hijen e errët të Tokës. Për këtë arsye, fenomeni do t’i afrohet shumë pamjes së një eklipsi total hënor.
Ku do të shihet?
Eklipsi do të jetë i dukshëm nga pjesë të mëdha të Amerikës së Veriut dhe Jugut, Evropës dhe Afrikës, si dhe nga disa zona të tjera të botës.
Në Evropë, fenomeni do të zhvillohet gjatë orëve të para të mëngjesit. Eklipsi vjen vetëm dy javë pas eklipsit diellor të 12 gushtit 2026, duke e bërë gushtin një muaj mjaft interesant për astronominë.
Si do të shihet nga Kosova?
Nga Kosova, eklipsi do të jetë i dukshëm gjatë orëve të hershme të mëngjesit, por vëzhgimi do të jetë sfidues pasi Hëna do të jetë shumë pranë horizontit.
Në Prishtinë, faza gjysmëhije nis në 03:23, ndërsa eklipsi i pjesshëm fillon në 04:33, kur Hëna nis të hyjë në hijen e errët të Tokës dhe të marrë një nuancë më të kuqërremtë.
Në 05:56, eklipsi arrin maksimumin e dukshëm nga Prishtina. Në atë moment, Hëna do të jetë vetëm 0.2° mbi horizontin, në drejtim të perëndim-jugperëndimit (WSW). Vetëm rreth tre minuta më vonë, në 05:59, Hëna do të perëndojë.
Për këtë arsye, rekomandohet të zgjidhet një pikë më e lartë ose një vend me horizont krejtësisht të hapur drejt perëndim-jugperëndimit, pa kodra, male, ndërtesa apo pemë që bllokojnë pamjen.
Madje, për shkak të ndriçimit shumë të ulët të Hënës gjatë kësaj faze, ajo mund të zhduket nga pamja edhe pak para se të perëndojë.
Prania e pluhurit saharian në atmosferë mund të theksojë tonet e kuqe-portokalli të Hënës pranë horizontit, duke krijuar një pamje edhe më interesante, nëse kushtet atmosferike vazhdojnë të jenë të tilla.
Maksimumi i vërtetë i eklipsit ndodh pak më vonë, kur Hëna tashmë do të jetë nën horizont në Kosovë. Prandaj, minutat para orës 06:00 janë mundësia kryesore për ta kapur fenomenin nga vendi ynë.
Eklipsi hënor është plotësisht i sigurt për t’u vëzhguar me sy të lirë dhe nuk kërkon syze speciale.
Nëse moti do të jetë i kthjellët, sipas parashikimeve, mëngjesi i 28 gushtit mund të sjellë një pamje mjaft mbresëlënëse: Hëna pothuajse tërësisht e zhytur në hijen e Tokës, vetëm pak çaste para se të perëndojë. /MeteoKosova/



