
Të shtunën parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta në pjesën e parë të ditës, ndërsa rreth mesditës dhe gjatë orëve vijuese pritet që vranësirat të marrin karakter zhvillimi dhe herë pas here të gjenerojnë rrebeshe lokale shiu, të shoqëruara me shkarkesa rrufesh. Ka mundësi të ketë edhe breshër të vogël.
Disa nga qelizat e stuhive mund të kenë lëvizje më të ngadalshme, me ç’rast mund të sjellin reshje më intensive, duke mos përjashtuar mundësinë për vërshime të shpejta. Sipas përditësimeve të fundit, reshjet më intensive priten rreth qendrës dhe gjysmës së Kosovës perëndimore.
Era do të fryjë nga drejtime të ndryshme, por në zonat ku do të ketë zhvillime konvektive, në momente të caktuara pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 15-60 km/h.
Temperaturat minimale do të lëvizin prej 17 deri në 20°C, ndërsa ato maksimale prej 31 deri në 35°C. Në zonat ku do të ketë të reshura, temperaturat do të pësojnë ulje të theksueshme, duke zbritur përkohësisht rreth vlerës 20°C. /MeteoKosova



