
Sistemet e organizuara të stuhive që kanë përfshirë të hënën Kosovën, duke sjellë rrebeshe shiu, breshër dhe stuhi shumë të forta ere, do të vazhdojnë edhe gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes së sotme. Këto sisteme pritet të jenë edhe më të fuqishme, me mundësi për zhvillime lokale të tipit supercell (superqelizë).
Ndërkohë, përpos zonave të tjera të Ballkanit, gjatë mbrëmjes dhe natës Shqipëria dhe Mali i Zi pritet të jenë ndër zonat më të ekspozuara ndaj një sistemi shumë të fuqishëm stuhish që vjen nga Italia përmes Detit Adriatik. Ky sistem pritet të organizohet në formën e një bow echo (strukturë harkore stuhish), me potencial për të prodhuar erëra me forcë uraganike.
Mbi Detin Adriatik, vrullshmëritë e erës lokalisht mund të arrijnë deri afër 180 km/h, ndërsa gjatë afrimit drejt bregdetit dhe depërtimit në territorin e Shqipërisë, veçanërisht në zonat veriore dhe qendrore të vendit, priten vrullshmëri shumë të fuqishme deri rreth 150 km/h. Sistemi pritet të vazhdojë më tej drejt Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, me tendencë graduale të dobësimit gjatë avancimit. Zonat jugore të Shqipërisë pritet të jenë më pak të prekura dhe me intensitet më të dobët.

Përveç erërave ekstreme, priten edhe breshër shumë i madh deri në 8 cm, reshje intensive në një kohë të shkurtër dhe shkarkesa të fuqishme rrufesh. Në kushtet e favorshme atmosferike, nuk përjashtohet edhe mundësia për tornado të izoluara, veçanërisht në zonat ku do të zhvillohen superqeliza.
Erërat me shpejtësi deri në 150 km/h, të shoqëruara me një bow echo, mund të shkaktojnë dëmtime të rënda, përfshirë rrëzim të pemëve të mëdha, thyerje të degëve që mund të bllokojnë rrugët, dëmtime në çati, sera dhe struktura të lehta. Mund të ketë dëmtime në infrastrukturën elektrike, rrëzim të shtyllave dhe ndërprerje të energjisë elektrike. Objektet e pafiksuara mund të zhvendosen ose të fluturojnë, duke paraqitur rrezik serioz për njerëzit dhe pronën.
Reshjet intensive në një kohë të shkurtër mund të shkaktojnë gjithashtu përmbytje lokale, veçanërisht në zonat urbane, ultësira dhe vendet me drenazh të dobët.
Gjatë kalimit të këtij sistemi, kushtet mund të përkeqësohen shumë shpejt. Rekomandohet kujdes i shtuar, veçanërisht për udhëtimet, aktivitetet në ambiente të hapura dhe qëndrimin pranë strukturave të pasigurta. /MeteoKosova/



