BallinaKosovë

Moti merr kthesën drastike: nga i nxehti ekstrem në stuhi të dhunshme, ja çfarë pritet të ndodhë duke nisur nga e marta

Pas një përmirësimi afatshkurtër të kushteve atmosferike, si rezultat i nxehtësisë ekstreme që ka përfshirë Evropën Perëndimore dhe Qendrore, që nga dita e martë pritet një destabilizim i fuqishëm i motit.

Si rrjedhojë, dita e hënë do të karakterizohet me diell në orët e mëngjesit, ndërsa gjatë ditës pritet të ketë vranësira kalimtare, të cilat lokalisht mund të zhvillohen më tej dhe të sjellin rrebeshe të izoluara shiu, të shoqëruara me shkarkesa të pakta rrufesh.

Të martën, do të mbajë mot me diell në orët e mëngjesit, ndërsa menjëherë pasdite dhe në mbrëmje pritet lokalisht të ketë zhvillime konvektive të vranësirave, duke gjeneruar rrebeshe shiu, breshër dhe shkarkesa rrufesh, disa prej tyre të forta. Në momente të caktuara këto zhvillime mund të marrin karakter shtrëngatash, duke mos përjashtuar mundësinë e vërshimeve të shpejta.

Të mërkurën, pas rrebesheve lokale dhe disa shkarkesave elektrike gjatë orëve të para të 24-orëshit, mëngjesi do të vijojë kryesisht me diell, ndërsa gjatë pasdites dhe mbrëmjes pritet shtim i vranësirave, të cilat lokalisht do të sjellin rrebeshe shiu, breshër të madh dhe shkarkesa rrufesh, disa prej tyre të ashpra. Në momente të caktuara priten edhe shtrëngata, me mundësi për vërshime të shpejta.

Të enjten pritet depërtimi i frontit të ftohtë, me ç’rast moti do të karakterizohet me vranësira të shpeshta dhe intervale me diell, ku herë pas here priten rrebeshe shiu, të shoqëruara me shkarkesa rrufesh dhe mundësi për breshër. Temperaturat do të pësojnë ulje të ndjeshme.

Dita e premte do të karakterizohet me vranësira dhe intervale me diell, ndërsa lokalisht priten reshje të pakta shiu. Temperaturat pritet të jenë pak mbi 20°C.

Dita e shtunë dhe e diel parashikohen me diell dhe vranësira, me mundësi për ndonjë reshje të izoluar shiu.

Era do të fryjë nga drejtime të ndryshme, ndërsa në zonat ku do të ketë zhvillime konvektive pritet të jetë në formë të stuhive të fuqishme, me shpejtësi maksimale deri në 90 km/h. Mund të ketë thyerje të degëve të mëdha, rrëzim të pemëve të dobëta, dëmtime në çati të lehta, sera dhe objekte të palidhura që mund të fluturojnë. Ngasja e automjeteve mund të bëhet më e rrezikshme.

Temperaturat minimale do të lëvizin prej 11 deri në 22°C, ndërsa ato maksimale prej 22 deri në 38°C.

Vlerat më të larta të temperaturave maksimale pritet të regjistrohen të hënën, ndërsa nga dita e martë do të fillojnë të ulen gradualisht, me uljen më të ndjeshme të enjten dhe të premten, ndërsa gjatë fundjavës ka tendencë për ngritje graduale.

Megjithatë, pavarësisht temperaturave të larta të martën dhe të mërkurën, gjatë kohës së reshjeve apo stuhive ato do të pësojnë ulje të theksuar, për të paktën 10–15°C. /MeteoKosova/

ARTIKUJ TË NGJASHËM

Back to top button
Close

Adblock Detected

Ju lutemi te fikni Ad Blocker!