BallinaKosovë

Në prag të verës, moti nuk gjen qetësi: qershori nis me rrebeshe lokale dhe shkarkesa rrufesh, ndërsa të enjten depërtojnë masa më të ftohta

Ndonëse sot ka filluar vera meteorologjike më 1 qershor, kushtet e motit po vazhdojnë të mbeten të paqëndrueshme edhe gjatë kësaj jave, por me masa më të ngrohta ajrore.

Dita e sotme po karakterizohet me diell dhe vranësira, ndërsa gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes pritet të ketë rrebeshe lokale shiu, të shoqëruara me shkarkesa rrufesh, kryesisht të përqendruara në gjysmën e epërme të Kosovës.

Të martën parashikohet mot me vranësira dhe intervale me diell, ku pritet të ketë rrebeshe lokale shiu në orët e mëngjesit, të cilat do të vazhdojnë sërish gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes. Reshjet pritet të shoqërohen me shkarkesa rrufesh, disa prej tyre të forta. Temperaturat do të pësojnë një ulje të lehtë.

Të mërkurën do të vijojë mot me diell dhe vranësira, ndërsa gjatë pasdites, kryesisht në zonën juglindore dhe lindore, pritet të ketë rrebeshe lokale shiu, të shoqëruara me shkarkesa rrufesh. Në mbrëmje vonë pritet të arrijë një sistem parafrontal, duke gjeneruar rrebeshe lokale dhe shkarkesa rrufesh në Rrafshin e Dukagjinit.

Të enjten do të depërtojnë masa të ftohta me origjinë nga Oqeani Atlantik, me ç’rast moti do të karakterizohet me vranësira të shpeshta dhe herë pas here me rrebeshe lokale shiu dhe shkarkesa rrufesh, disa prej tyre të fuqishme. Reshjet do të jenë të pranishme që në orët e para të 24-orëshit. Temperaturat do të pësojnë ulje të ndjeshme, rreth vlerave më të ulëta të javës.

Dita e premte do të dominohet nga moti me diell dhe vranësira të pakta, duke mos përjashtuar mundësinë për ndonjë reshje të izoluar, sidomos në mbrëmje. Temperaturat do të shënojnë ngritje.

Fundjava parashikohet me diell dhe vranësira, ndërsa lokalisht priten rrebeshe shiu dhe shkarkesa rrufesh, veçanërisht të shtunën.

Era do të fryjë nga drejtime të ndryshme dhe herë pas here pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 20–60 km/h.

Temperaturat minimale do të lëvizin prej 10 deri në 15°C, ndërsa ato maksimale prej 19 deri në 30°C. Vlerat më të larta pritet të regjistrohen të hënën, ndërsa më të ulëta të enjten. /MeteoKosova/

ARTIKUJ TË NGJASHËM

Back to top button
Close

Adblock Detected

Ju lutemi te fikni Ad Blocker!