BallinaKosovë

Rrymat ajrore me shpejtësi deri në 300 km/h: Sistemet e reja ciklonike sjellin rrebeshe lokale, stuhi të forta, dëme materiale dhe temperatura deri në 20°C

Edhe gjatë kësaj jave moti do të mbetet nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike, si pasojë e qarkullimit të fuqishëm ajror nga Atlantiku, me shpejtësi prej 200–300 km/h në lartësi rreth 10 000 m (10 km), i njohur si Jet Stream.

Kjo rrymë ajrore, e cila shërben si një lloj “autostrade” atmosferike për sistemet ciklonike dhe frontet atmosferike, do të favorizojë erëra të fuqishme jugperëndimore, reshje shiu dhe luhatje të temperaturave. Njëkohësisht, do të sjellë masa të ngrohta ajrore nga dita e martë deri të premten, me intervale me diell, ndërsa në fundjavë pritet depërtimi i masave më të ftohta ajrore.

E hëna u karakterizua me mot të vranët dhe reshje shiu, lokalisht me rrebeshe e shkarkesa rrufesh, duke shkaktuar edhe vërshime lokale.

Të martën do të vijojë mot me diell dhe vranësira të pakta, me përjashtim të disa zonave ku në orët e mëngjesit mund të ketë vranësira të ulëta ose mjegull.

Të mërkurën, gjatë orëve të para të 24-orëshit, pritet të fillojnë gradualisht reshjet e izoluara të shiut. Dita do të vijojë me vranësira dhe intervale me diell, ndërsa në disa lokalitete do të vazhdojnë reshjet e izoluara. Në orët e mbrëmjes pritet shtim i vranësirave dhe lokalisht me rrebeshe shiu.

Të enjten, gjatë orëve të para të 24-orëshit, priten rrebeshe lokale shiu. Gjatë ditës do të ketë vranësira të shpeshta dhe intervale me diell, ndërsa lokalisht do të vazhdojnë reshjet e izoluara. Në orët e mbrëmjes pritet intensifikim i reshjeve në disa zona, të cilat herë pas here do të jenë në formë të rrebesheve, të shoqëruara me shkarkesa rrufesh.

Të premten, gjatë orëve të para të 24-orëshit, priten rrebeshe kalimtare shiu me karakter lokal, të shoqëruara me disa shkarkesa rrufesh. Dita do të vijojë me diell dhe vranësira, ndërsa në disa rajone mund të ketë rrebeshe lokale.

Të shtunën pritet depërtimi i masave të ftohta ajrore nga veriperëndimi i kontinentit, të cilat do të sjellin rrebeshe lokale shiu, të shoqëruara me shkarkesa rrufesh. Në zonat malore priten edhe reshje bore. Temperaturat do të fillojnë të pësojnë rënie.

Të dielën parashikohet mot me diell dhe vranësira, të cilat pritet të shtohen gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes. Temperaturat do të vazhdojnë të mbeten më të ulëta.

Era do të fryjë nga drejtimi i jugperëndimit, ndërsa nga dita e mërkurë deri të premten, herë pas here, pritet të arrijë intensitetin e stuhisë së fortë, me shpejtësi deri në 85 km/h.

Erërat e fuqishme mund të shkaktojnë dëme lokale, përfshirë thyerjen e degëve të mëdha, rrëzimin e pemëve të dobëta, si dhe dëmtime në çati, sera dhe struktura të lehta. Objektet që nuk janë të fiksuara mirë mund të zhvendosen apo edhe të fluturojnë, duke paraqitur rrezik për njerëzit dhe pronën.

Temperaturat minimale do të lëvizin nga 0 deri në 13°C, ndërsa ato maksimale nga 9 deri në 20°C. Vlerat më ulëta minimale dhe ato maksimale pritet të regjistrohen në fundjavë. /MeteoKosova/

Related Articles

Back to top button
Close

Adblock Detected

Ju lutemi te fikni Ad Blocker!