BallinaKosovë

Parashikimi i motit për të premten, 13.11.2026

Të premten parashikohet që gjatë orëve të para të 24-orëshit dhe mëngjesit, të ketë rrebeshe të izoluara shiu në lokalitete, kryesisht në Rrafshin e Dukagjinit. Përndryshe, pjesa më e madhe e vendit do të karakterizohet me diell dhe vranësira të pakta.

Ndërkohë, erërat nga drejtimi i jugperëndimit pritet të fuqizohen edhe më shumë për shkak të afrimit të ciklonit “Charles”, duke arritur në momente të caktuara intensitet stuhie të fortë. Veçanërisht në Rrafshin e Dukagjinit, me shpejtësinë deri në 80 km/h.

Erërat e fuqishme mund të shkaktojnë dëme lokale, përfshirë thyerjen e degëve të mëdha, rrëzimin e pemëve të dobëta, si dhe dëmtime në çati, sera dhe struktura të lehta. Objektet e palidhura mirë mund të zhvendosen apo edhe të fluturojnë, duke paraqitur rrezik për njerëzit dhe pronën.

Gjatë ditës pritet të shtohet prania e vranësirave, të cilat më të përqendruara do të jenë në Rrafshin e Dukagjinit dhe në një pjesë të territorit drejt veriut. Vranësirat herë pas here do të gjenerojnë reshje lokale shiu, të cilat në momente të caktuara do të jenë në formë rrebeshesh.

Në orët e mbrëmjes pritet intensifikim i reshjeve, kryesisht në gjysmën e epërme të Kosovës. Kjo përkon me afrimin e ciklonit “Charles” drejt rajonit tonë. Cikloni pritet të gjenerojë reshje intensive, shkarkesa rrufesh dhe mundësi për breshër të vogël.

Me kalimin e orëve të mbrëmjes dhe pas mesnate, pra gjatë orëve të para të 24-orëshit të së shtunës, reshjet pritet të zhvendosen gradualisht në drejtim të jugut. Si pasojë e reshjeve intensive, të cilat në disa zona mund të zgjasin për një periudhë të konsiderueshme kohore, priten përmbytje lokale.

Temperaturat minimale do të lëvizin prej 14 deri në 17°C, ndërsa ato maksimale prej 20 deri në 23°C. /MeteoKosova/

Related Articles

Back to top button
Close

Adblock Detected

Ju lutemi te fikni Ad Blocker!