BallinaKosovë

Vera drejt fundit? Pas të nxehtit afrikan, masat e ftohta drejt nesh – rrebeshe, rrufe dhe ulje e ndjeshme e temperaturave deri në 20°C

Pas një vere të tejzgjatur, me ditë dhe temperatura mjaft të larta, ndonëse jo me vlera rekorde, më në fund ka shenja për një ulje të ndjeshme të temperaturave dhe ndryshim drastik të motit në fundjavë.

Deri atëherë, fillimi i kësaj jave do të jetë me kushte të qëndrueshme dhe i ndikuar nga masa më të freskëta ajrore.

Nën këto kushte, dita e hënë dhe e martë u karakterizuan me diell. Mëngjeset ishin mjaft të freskëta, me temperatura të cilat zbritën deri në 10°C, ndërsa gjatë ditës ato shënuan rritje, duke arritur rreth ose pak mbi vlerën 30°C.

Nga dita e mërkurë e deri të premten, pas mëngjeseve kryesisht me diell, gjatë ditës priten vranësira që do të marrin karakter zhvillimi dhe do të përcillen me rrebeshe lokale shiu, të shoqëruara me disa shkarkesa rrufesh. Nuk përjashtohet mundësia për breshër. Temperaturat do të mbesin të larta, me përjashtim të atyre zonave ku mund të ketë reshje, ku temperaturat do të pësojnë ulje të përkohshme.

Sipas përditësimeve të fundit, të shtunën parashikohet të ketë vranësira më të shpeshta, të cilat herë pas here do të gjenerojnë rrebeshe lokale shiu, të shoqëruara me shkarkesa rrufesh. Temperaturat do të fillojnë të pësojnë ulje graduale.

Nga dita e diel pritet të depërtojnë masa të ftohta, të cilat do të sjellin destabilizim të fuqishëm të motit dhe ulje të ndjeshme të temperaturave, të paktën rreth vlerave 20°C, duke i dhënë fund temperaturave verore.

Era do të fryjë nga drejtime të ndryshme dhe në momente të caktuara pritet të jetë mjaft e fuqishme në pjesën e dytë të javës, me shpejtësi prej 15-55 km/h.

Temperaturat minimale do të lëvizin prej 10 deri në 18°C, ndërsa ato maksimale prej 20 deri në 35°C. /MeteoKosova/

Related Articles

Back to top button
Close

Adblock Detected

Ju lutemi te fikni Ad Blocker!