BallinaBotëKosovë

Vera nuk nis qetë: Rrebeshe lokale, rrufe dhe breshër mbi vendin tonë – Franca sfidon rekordin historik prej 46°C

Ndonëse të dielën, më 21 qershor, kemi hyrë zyrtarisht në stinën e verës, kushtet e motit po vazhdojnë të mbeten të paqëndrueshme mbi rajonin tonë, megjithatë temperaturat po mbeten të larta.

Ndërkohë, kupola e nxehtësisë që ka përfshirë Evropën Perëndimore dhe Gadishullin Iberik (Spanjën dhe Portugalinë), veçanërisht Francën, pritet të sjellë temperatura ekstreme gjatë tri ditëve të para të kësaj jave, deri në 45°C, duke sfiduar rekordin absolut kombëtar prej 46.0°C, të regjistruar më 28 qershor 2019 në Verargues, në jug të vendit.

Për sa i përket vendit tonë, nga dita e hënë e deri të mërkurën, moti parashikohet të karakterizohet me diell dhe vranësira, të cilat herë pas here, sidomos orëve të pasdites dhe mbrëmjes, pritet të gjenerojnë rrebeshe lokale shiu, të shoqëruara me shkarkesa rrufesh, disa prej tyre të fuqishme. Disa stuhi mund të prodhojnë edhe breshër me diametër të vogël.

Këto kushte, në zona të caktuara, do të shfaqen në formën e shtrëngatave apo furtunave kalimtare, të cilat mund të sjellin edhe vërshime të shpejta, si pasojë e lëvizjes së ngadalshme të vranësirave konvektive. Për dallim nga java e kaluar, reshjet atmosferike do të jenë më të shtrira në shkallë vendi.

Dita e enjte do të vijojë me diell dhe vranësira të pakta, mirëpo nuk përjashtohet mundësia për ndonjë reshje të izoluar.

Nga dita e premte dhe gjatë fundjavës parashikohet mot kryesisht me diell dhe shumë i nxehtë.

Era do të fryjë nga drejtimi i veriut, e cila herë pas here pritet të jetë mjaft e fuqishme, veçanërisht në zonat ku do të ketë zhvillime konvektive, me shpejtësi prej 20-60 km/h.

Temperaturat minimale do të lëvizin prej 15 deri në 19°C, ndërsa ato maksimale prej 27 deri në 34°C. Gjatë kohës me të reshura, temperaturat do të pësojnë ulje të theksueshme, të paktën me 10°C. /MeteoKosova/

Related Articles

Back to top button
Close

Adblock Detected

Ju lutemi te fikni Ad Blocker!