
Masat e nxehta ajrore, siç duket, nuk e kanë ndërmend të lëshojnë pe këtë verë. Gjatë kësaj jave, vendi ynë do të mbetet nën ndikimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike dhe të masave të nxehta me origjinë nga Afrika Veriore.
Si pasojë, moti do të jetë kryesisht me diell në pjesën më të madhe të javës. Nga dita e enjte e deri në fundjavë, pritet që masat e nxehta të zbehen disi, duke u shoqëruar me një paqëndrueshmëri të lehtë, ku nuk përjashtohet mundësia për ndonjë reshje të izoluar. Po ashtu, edhe temperaturat do të pësojnë një rënie të lehtë.
Era do të fryjë nga verilindja dhe herë pas here do të jetë e fuqishme, me shpejtësi 15-48 km/h.
Temperaturat minimale do të variojnë nga 16 deri në 20°C, ndërsa ato maksimale nga 31 deri në 38°C. Vlerat më të larta, pothuajse konstante, do të mbeten në ditët e para të javës; më pas, në pjesën e dytë të javës, pritet të zbresin gradualisht nga dita në ditë. /MeteoKosova/



